Kosova

Osmani takohet me një grup nga Austria: Jo vetëm Kosova destabilizohet nga bandat kriminale të Serbisë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit me një delegacion të Grupit të Miqësisë Austri- Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të premten është takuar me grupin e miqësisë Austri-Kosovë, të kryesuar nga eurodeputeti Lukas Mandl me të cilën ka diskutuar edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Përmes një komunikate nga Zyra e Presidencës thuhet se presidentja u shpreh se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për kontribut për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, në koordinim me aleatët.

“Presidentja Osmani potencoi obstruksionet e Serbisë në procesin e dialogut, duke e penguar dialogun dhe duke u përpjekur që nëpërmjet përdorimit të bandave kriminale në veri ta destabilizojë jo vetëm Kosovën”.

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për kontribut për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, në koordinim me aleatët”.

E para e vendit, ka shprehur falënderime ndaj Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës në faza të ndryshme përgjatë historisë.

“Presidentja Osmani është angazhuar për një partneritet më të fuqishëm me Austrinë, të cilën e ka konsideruar një aleate dhe mbështetëse në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës”.

Ndërsa shtoi se, “Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme nga partnerët për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, sepse avancimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare sjellë më shumë stabilitet e prosperitet për të gjithë qytetarët, pa dallim”.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

“Osmani përmendi potencialin ekonomik që ka Kosova, sikurse edhe mjedisin e favorshëm për investitorët e huaj”.

Edhe politika e jashtme, arsimi, shëndetësia dhe shkëmbimi tregtar janë përmendur në kontekst të thellimit të bashkëpunimit të Kosovës me Austrinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore