Lajme

Osmani takohet me ministrin e Jashtëm çek: Procesi i liberalizimit të përfundojë gjatë Presidencës çeke


residentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky, me të cilin ka diskutuar për angazhimin drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Këtë Osmani, e ka bërë të ditur përmes rrjetit social ‘Facebook’.

“Falënderova ministrin e Jashtëm çek Jan Lipavský për angazhimin konstruktiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Ajo tutje ka sqaruar rëndësinë që procesi i liberalizimit të vizave të përfundoj gjatë udhëheqjes së presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

“Është vendimtare që ky proces të përfundojë përgjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së, për ta eliminuar këtë padrejtësi të madhe ndaj popullit të Kosovës. Republika Çeke është aleate e rëndësishme me të cilën ndajmë përkushtimin e përbashkët për paqe, siguri dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike”.

Ndryshe, më 13 tetor, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian.

Këtë e kanë konfirmuar burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që janë jashtë Bashkimit Evropian, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore