Lajme

Osmani: Serbia s’është e interesuar për t’u anëtarësuar në BE, as të kontribuojë për paqe


“Marrëveshja e fundit që Serbia nënshkroi me Rusinë për të përcaktuar vijat e politikës së saj të jashtme, bashkëpunim me Rusinë dhe jo me BE-në, është një mesazh i qartë që Serbia nuk është e interesuar që të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon, apo të anëtarësohet në BE”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.

Por – sipas Osmanit, përkundër veprimeve të Serbisë, “ne si Republikë e Kosovës po tregojmë vazhdimisht konstruktivitet, angazhim pozitiv dhe po fokusohemi që i gjithë dialogu me Serbinë, i ndëmjetësuar nga BE dhe i përkrahur fuqishëm nga SHBA, të jetë një proces që i kontribuon paqes afatgjate në rajonin tonë dhe që natyrisht është i përqendruar në njohje reciproke”.

“Natyrshëm, pritshmëritë e Kosovës janë që ky proces të jetë i përqendruar në njohjen reciproke, sepse kjo është e vetmja zgjidhje e cila çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë”, shtoi ajo.

Për osmanin, gjysmëzgjidhjet asnjëherë nuk prodhojnë paqe dhe stabilitet afatgjatë, por në anën tjetër i jepin hapësirë të mjaftueshme Serbisë që të vazhdojë të afrohet më shumë me Rusinë dhe po ashtu të investojë edhe më shumë në destabilizimin e rajonit.

Ajo tha se “beson që kjo çfarë po ndodh në Ukrainë, të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore, se me shtetet e tilla që udhëhiqen nga mendësinë e Putinit, siç është edhe vetë Serbia që udhëhiqet nga një ish ministër i Millosheviçit, duhet gjuhë e qartë, veprime të qarta”.

“Për fat të keq edhe kjo që po ndodh tashmë në Ukrainë, që nga 24 shkurti i vitit 2022, po dëshmon se shtetet autokratike, siç është Serbia, siç është Rusia e cila e kontrollon edhe Serbinë asnjëherë nuk shquhen për veprime pozitive në raport me fqinjët e tyre”.

Përkundër kësaj, sipas Osmanit, Serbia vetëm sa është forcuar në veprimet e saj destabilizuese.

“Vetëm sa e ka rritur bashkëpunimin qoftë politik, qoftë ekonomik apo ushtarak me Rusinë, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e ndikimit rus në tërë rajonin tonë dhe rrezikimin e rajonit tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore