Lajme

Osmani për zhvillimet në Veri: Po sulmojnë bandat e Vuçiç-it, duhet të ballafaqohen me drejtësinë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar në llogarinë e saj në Twitter se eskalimin e situatës në Veri e shkaktuan bandat kriminale që udhëhiqen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Strukturat ilegale të Serbisë të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarët. Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiç-it për të destabilizuar Veriun e Kosovës, duhet të ballafaqohen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, ka reaguar edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Meloni përmes një cicërime në Twitter ka thënë se “në emrin tim dhe në emër të Qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë”.

“Shpreh gjithashtu dënimin tim më të fortë për sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it, ku përfshiheshin edhe ushtarë nga kombet e tjera. Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme”, shkroi ajo në Twitter.

Ndërkaq, kryeministrja e Italisë theksoi se “ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it”, duke shtuar se “është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet kosovare dhe që të gjitha palët e përfshira menjëherë të bëjnë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve”.

“Angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë”, shtoi ajo.

Ndërkaq, e para e ekzekutivit italian potencoi se  “konfirmoj afërsinë time me ushtrinë italiane dhe mirënjohjen e fortë të qeverisë për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe shpirtin e lavdërueshëm të shërbimit që ata tregojnë në të gjitha rrethanat”.

Ndryshe, edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ka dënuar sulmet e dhunshme të protestuesve serbë kundrejt forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Zveçan, ku edhe ka bërë të ditur se 11 ushtarë të KFOR-it italianë janë lënduar, 3 prej tyre në gjendje të rëndë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ai tha se “dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe policisë kosovare”.

“Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën”, shkroi ai në Twitter.

Tutje, kryediplomati italian theksoi se “ushtria vazhdon të punojë për paqen”.

Ndryshe, 41 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani shihet një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka dënuar sulmet e dhunshme të protestuesve kundrejt forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Zveçan.

“SHBA-të dënojnë fuqishëm aksionet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivit, kundrejt trupave të NATO-s”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Njëjtë si Hovenier ka reaguar edhe homologu i tij britanik, Nicholas Abbott.

“Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme. Ashtu siç QUINT-i e ka bërë krejtësisht të qartë, aksionet duhet të merren menjëherë për të de-eskaluar dhe reduktuar tensionin”.

Pasditen e kësaj të hëne, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

Në një video që është publikuar në mediat serbe shihen protestuesit teksa përleshen më ushtarët e KFOR-it.

Ndërsa një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it, derisa kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, vazhdon të mbetet para ndërtesës së komunës.

Më herët ishin shpërndarë edhe protestuesit serbë që ishin mbledhur që nga orët e para të mëngjesit të së hënës para ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut.

Po ashtu KFOR-i, bëri të ditur se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve atje ku serbët kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.

Përmes një komunikate për media KFOR-i, ka kërkuar nga palët që të mos nxisin tensione dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë”.

“Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999″.

“Beteja” për komunat në Veri – krejt çfarë ndodhi

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore