Lajme

Osmani për Vulinin: Tendencat e tij shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, i cili e quajti Masakrën e Reçakut “gënjeshtër” dhe vrasjen e civilëve shqiptare “falsifikim”.

Osmani ka thënë se tendencat e Vulinit “shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”.

Ndërkaq është shprehur se përmes propagandave po bëhen përpjekje që të ndryshohen faktet historike.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviç, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin.

Ajo tutje është shprehur se përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviçit, nga e cila, sipas saj, nuk po arrin të shkëputet Vulini si besnik i tij.

“Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”, u shpreh ajo.

Por, që thekson se filmat të cilat po përgatisin shteti i Serbisë nuk do e ndryshojnë realitetin.

“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë”.

“Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, ka thënë tutje Osmani.

Më 10 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka vizituar ekipin i cili po xhiron filmin për ngjarjet në Reçak në janar të vitit 1999, si pjesë e serisë së dokumentarëve “Dosja e Kosovës”.

Masakrën në fshatin Reçak apo ndryshe siç e ka quajtur ai “masakra e supozuar” e shqiptarëve e cila shërbeu si shkak në përgjigjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ishte “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t’i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, ka thënë Vulin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore