Lajme

Osmani për marrëveshjen e Ohrit: Kosova nuk do t’iu ikë detyrimeve të saj


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me dy senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, përmes një konference për media ka shprehur shpresa që zëri i Senatit të jetë i qartë kundër strukturave paralele që po i terrorizojnë serbët në Veri.

“Sa i përket zbatimit të detyrimeve që dalin nga marrëveshjet e fundit në Bruksel dhe në Ohër ashtu siç kam thënë gjithmonë, Kosova nuk do t’i ik detyrimeve të saj. Kosova do të zbatoj secilën detyrim për të cilin është pajtuar si pjesë e dialogut, përderisa e dimë që të gjithë që marrëveshja thotë se të gjitha nenet e saj janë njësoj të rëndësishme”.

Ajo ka shtuar se në këtë takim ka përmendur edhe shkeljet e vazhdueshme të Serbisë

“Në kuadër të diskutimeve mbi dialogun i njoftova senatorët për listën e gjatë të shkeljeve nga ana e Serbisë, kjo për mua nuk është një temë e thjeshtë administrative se kush e ka listën më të gjatë të obligimeve të pazbatuara por ka të bëjë me paqe dhe stabilitetit, e mbi të gjitha ka të bëjë me sigurinë nga tendencat destabilizues”.

Sa i përket krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e para e shtetit tha se e gjitha duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Komunat në Republikën e Kosovës, kanë të drejtë që të mblidhen në Asociacione për të koordinuar punën e tyre, por e gjithë kjo në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 si dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar të Qeverisë Amerikane të publikuar nga dy zyrtarët e departamentit amerikan të shtetit zotërit Chollet dhe zotërit Escobar”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencë me dy senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters

“Siç e dini Kushtetuta e Kosovës, parasheh të drejtat më të avancuara për komunitetet joshumicë, prandaj do të doja që ky shembull të merret edhe në shtetet e tjera të rajonit”.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore