Lajme

Osmani pas takimit me Metën: Kosova e Shqipëria të përçojnë mesazhin që Ballkani rrezikohet nga Serbia


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me homologun e saj nga Shqipëria, Ilir Meta, ka thënë se është kundër çfarëdo iniciative e cila përpiqet ta trajtojë në mënyrë jo të barabartë Kosovën, duke iu referuar iniciativës rajonale “Open Balkan”.

“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonalë, poqëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë”, tha Osmani.

Ajo ka theksuar se kanë dëshmuar gatishmëri për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Kosova nuk do të jetë pjesë e asnjë aranzhmani i cili nuk e garanton sovranitetin, integritetin dhe funksionalitetin e shtetit”.

E para e vendit potencoi se së bashku me Shqipërinë duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe në botë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me Metën ka përsëritur qëndrimin se Kosova është e hapur për bashkëpunim rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfshirjes së BE-së.

“Për Republikën e Kosovës janë të papranueshme iniciativat e Serbisë, sikur i ashtuquajturi “Ballkani i Hapur”, që synojnë të anashkalojnë Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. E ardhmja e shtetit tonë dhe e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, theksoi Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Kreu i Kuvendit ka falënderuar presidentin Meta për kontributin e madh të shtetit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe përkrahjen e vazhdueshme në proceset e saj të shtetndërtimit.

Ndryshe, Meta ka takuar edhe krerët e partive politike në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore