Shqipëria

Osmani: Nishani u angazhua tërë jetën për shtetin e kombin shqiptar


Vjosa Osmani në ceremoninë mortore të ish-presidentit Bujar Nishani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte pjesëmarrëse në ceremoninë mortore të ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, të enjten e 2 qershorit, përmes një statusi në rrjetin e saj social në Facebook, këtë të fundit e ka kujtuar si një shtetar të paepur, e një njeri të urtë e dinjitar.

“Sot ia dhamë lamtumirën e fundit ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, i cili u nda nga jeta ditë më parë. Në emër të qytetarëve të Kosovës u përkulëm para arkëmortit të Presidentit, shtetarit të paepur, njeriut të urtë e dinjitar, qytetarit të ndershëm e atdhetarit të përkushtuar”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sipas saj, Nishani, është angazhuar tërë jetën për shtetin dhe kombin shqiptar.

“Si President i Shqipërisë, ai u kujdes gjithnjë që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore. Populli i Kosovës dhe institucionet e saj do ta kujtojnë përherë me mirënjohje të thellë. I përjetshëm kujtimi për Presidentin Nishani”, ka shtuar ajo.

Vjosa Osmani dhe Ilir Meta në ceremoninë mortore të ish-presidentit Bujar Nishani

Zyrtarë të lartë, politikanë, personalitete kombëtarë dhe ndërkombëtarë morën pjesë në ceremoninë mortore në nder të tij.

2 qershori është shpallur “Ditë Zie Kombëtare”, në nder të ish-kreut të lartë të shtetit, Bujar Nishani.

Ky i fundit shërbeu si president i Republikës së Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017.

Ai vdiq në moshën 56-vjeçare, për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore