Lajme

Osmani në Epopenë e Dukagjinit: Familja Haradinaj tregoi se liria është e panegociueshme


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se Epopeja e Dukagjinit është njëra nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.

Kështu është shprehur Osmani përmes një komunikate të publikuar nga Zyra e Presidencës.

“Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme. Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj në këtë ditë ranë në altarin e lirisë, ndaj sot e përherë i kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet”, thuhet në komunikatë,.

Sipas saj, përmes epopesë paraqiten “fillet e lirisë”.

“Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj ajo paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës veri-Atlantike”.

“Respekt dhe kujtim i përhershëm për të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë miqtë tanë që mbështetën luftën tonë për liri dhe shtetndërtim!”.

Homazhe në Gllogjan ka bërë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Më 24 mars të vitit 1998 në Gllogjan ishte zhvilluar beteja frontale mes forcave të UÇK-së dhe forcave të Serbisë, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.

Synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.

Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore