Lajme

Osmani në Bullgari: Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE e NATO, shtyllë e paqes dhe stabilitetit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Bullgari, në një ceremoni në Aula të Rektoratit të Universitetit është nderuar me Distinktivin e Nderit të Universitetit të Sofjes.

Ky çmim është ndarë me sugjerim të Fakultetit Juridik dhe është dhënë në lidhje me aktivitetet e saj si juriste udhëheqëse në vendin e saj me njohje ndërkombëtare.

Gjatë fjalimit të saj, Osmani u shpreh se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian dhe NATO, do të ishte shtyllë e paqes dhe stabilitetit për të gjithë kontinentin tonë.

“Për shekuj me radhë, ka qenë në interesin e Rusisë të sigurohen që të kenë sukses në përhapjen e ndikimit të tyre keqdashës në Ballkanin Perëndimor. Fatkeqësisht, duke përdorur një nga vendet e rajonit tonë si përfaqësim, si ndërlidhës”, deklaroi Osmani.

Sipas saj, kur arkitektura e sigurisë në Evropë dhe më gjerë është nën kërcënim për shkak të luftës në Ukrainë, interesi gjeostrategjik i BE-së dhe NATO-s është që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e dy aleancave.

“Kur ky interes rus vazhdon edhe tani, jo se janë të interesuar konkretisht për Kosovën, por sepse besojnë se duke sulmuar atë që është arritur në Kosovë, duke sulmuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, po sulmojnë vlerat dhe sistemet mbi të cilat bazohen BE-ja dhe NATO-ja”.

“Këto janë sulme ndaj BE-së dhe NATO-s, sepse ata e dinë, sikurse ne, se Ballkani Perëndimor i destabilizuar do të thotë një Evropë e destabilizuar”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Bullgarisë Rumen Radev.

Osmani u shpreh se boshti euroatlantik dhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së është çelësi për të siguruar që kjo hapësirë të mos u lihet akterëve dashakeq, ky është çelësi i stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë dhe më gjerë.

Ajo falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e saj, për qëndrimin pranë Kosovës si në momente të vështira ashtu edhe në momente të mira.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për një vizitë dy ditore në Bullgari, me ftesë të homolgut të saj, Rumen Radev, kishte njoftuar Zyra e Presidentit.

Përveç takimit privat me Radev, Osmani është takuar edhe me kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Vezhdi Romanov.

Osmani, gjatë vizitës në Bullgari do ta ketë një takim edhe me mërgatën shqiptare që jeton e vepron në këtë shtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore