Lajme

Osmani: Jemi kundër kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë


Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, ka thënë se shteti që e përfaqëson është kundër kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë.

“Kemi qenë kundër kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë, qofshin edhe ato për konsum të brendshëm për shkak se ju mund të keni ndonjë ide tjetër prapa asaj retorike, por njerëzit mund ti marrin ndryshe dhe pastaj bëhet vonë”, tha Osmani gjatë një interviste për Kosovapress.

Osmani theksoi se mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje me njohje reciproke, derisa ka folur edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Tani duhet të krijojmë koncept të ri strategjik, çka bëjmë me Kosovën në NATO, çfarë bëjmë me Bosnje Hercegovinën në NATO, dhe cili do të jetë raporti i NATO-s me Serbinë, dhe ne e kemi ndërmend gjatë kryesimit tonë të dalim me një koncept të qartë strategjik se cilët duhet të jenë prioritetet dhe në çfarë dinamike do të duhet kjo platformë të bëjë punën e vet natyrisht duke vendosë akcent në anëtarësimin e Kosovës në NATO”, theksoi ai.

Ndryshe, presidencën vjetore të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nga 1 janari e mban Maqedonia e Veriut me rotacion.

Kryesues i OSBE-së sipas detyrës zyrtare është Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore