Shqipëria

Osmani: Ish-presidenti Nishani përkrahu Kosovën pa reshtur


Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq”, nis ngushëllimet për vdekjen e presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani ka theksuar se Nishani gjatë jetës ës tij ka përkrahur Kosovën pa ndalur.

“Përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën pareshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet”, është shprehur Osmani.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve!”.

“Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”.

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, është shprehur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër”.

“Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar”,ka shkruar Kurti një status në Facebook.

“Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij”.

Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së

Familjen Nishani e ka ngushëlluar edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Më pikëlloi lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Ikja e tij në amshim është lajm i hidhur për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë”.

“Presidenti Nishani ka lënë pas vete një trashëgimi të madhe, siç ishte i madh edhe angazhimi i tij për çështjen kombëtare. Përkushtimi i tij për paqe, zhvillim e demokraci, e bën Presidentin Nishani njeri të veçantë, personalitet të rrallë, të balancuar me ide e qëndrime si dhe të paharrueshëm në historinë e popullit shqiptar”, është shprehur Abdixhiku.

Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së

Vdekjen e ish-president Nishanit, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e cilëson si humbjen e një nga burrështetasit më të mëdhenj të Shqipërisë.

“Punëtor i palodhshëm, njeri i edukuar, bashkëpunëtor besnik e patriot. Kështu do ta kujtojmë përherë figurën dhe personalitetin e shquar të Bujar Nishanit, që tërë veprimtarinë e tij politike ia kushtoi shtetit të Shqipërisë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshqiptare”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen Nishani, për miqtë e bashkëpunëtorët e tij”.

“Nderimet më të larta për jetën dhe veprën e Presidentit Bujar Nishani!”, përfundon telegramin e ngushëllimit Memli Krasniqi.

Ramush haradinaj, Kryetar i AAK-së

Ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit Nishani ka shprehur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Bashkëndjejmë me familjen dhe të afërmit për këtë humbje të madhe”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribuues i madh për demokracinë në Shqipëri”.

“U prehtë në paqe!”, përfundon Kryetari i AAK-së.

Ish-presidenti Bujar Nishani dhe Kryetari i AKR-së. Behxhet Pacolli

Ish -presidentin Nishani, Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, e cilëson si njeri të urtë e të ndershëm, duke shtuar se ai do të kujtohet si njeri me integritet të lartë.

“Sapo mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mikut tim shumë të afërt, Ish-Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani. Atë do ta kujtoj gjithmonë si njeri i urtë, i respektuar dhe me integritet të lartë. I bindur që do ti mungojë përgjithmonë kombit. Shprehi ngushëllimet e mia familjes Nishani dhe çdo shqiptarit, kudo!”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook.

Enver Hoxhaj, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës

Duke shpërndarë një fotografi nga një nga takimet me të, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit Bujar Nishani.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se kjo është një humbje e madhe për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin për vdekjen e ish-presidentit shqiptar Bujar Nishani. Humbje e madhe për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët”.

Ai tha po ashtu se Nishani “ishte ndër politikanët më shembull, dinjitoz dhe mik i imi i ngushtë!”.

“Një atdhetar i madh, që punoi shumë për interesat e kombit shqiptar. Ngushëllime të sinqerta familjes Nishani, miqve dhe të gjithë kombit shqiptar. U prehsh në paqe President!”, ka përfunduar Hoxhaj.

Fatmir Sejdiu, ish-president i Kosovës

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka shprehu ngushëllime familjes Nishani për vdekjen e ish-presidentit shqiptar, Bujar Nishani.

Ai tha se vdekja e Nishanit është humbe e madhe për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët e shtetin shqiptar.

“Ishte një personalitet i veçuar dhe jashtëzakonisht mirë i ndërtuar në profesionin që kishte zgjedhur atë të ushtarakut dhe me vonë të liderit të urtë të Shqipërisë”.

“Si President i vendit ai la gjurmë të mira dhe të pashlyeshme duke u përballur me sukses me sfidat e shumta që i kishte vendi”, shkroi Sejdiu.

Tutje, Sejdiu tha se krahas dhembjes, familja Nishani duhet të ndjehet krenare për personalitetin, jetën e veprën e tij.

Kujtojmë se Bujar Nishani vdiq sot pas një sëmundje autoimune të mëlçisë, të cilën ia përkeqësoi COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore