Osmani i bën thirrje Kurtit: Të bëhemi sërish bashkë

E para e shtetit ka thënë se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, integrimi euro-atlantik i vendit janë prioritete kombëtare.
SHFLETO

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

 

Valon Rashiti
26.09.2024 21:46
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur për “zbehjen” e raporteve mes saj dhe kryeministrit Albin Kurti, teksa ka theksuar se interesi i Kosovës është përtej dallimeve me kryeqeveritarin.

Ne duhet të bëjmë atë që në Shtetet e Bashkuara dhe në ushtri e quajnë “regroup and reorganize”. Të bëhemi sërish bashkë, t’i bashkojmë forcat sepse interesi i Kosovës është përtej dallimeve që mund t’i kemi. Dhe ne e shohim që në këtë moment kur ka shumë luftëra nëpër vende të ndryshme të botës, përfshirë kontinentin tonë, Kosova natyrisht që nuk është prioriteti kryesor i liderëve botërorë”, tha Osmani.

“Pra Kosova dhe si shqiptarë në përgjithësi, ne jemi pak për të qenë të ndarë, siç e kam thënë gjithmonë. Sa i përket interesit të vendit tonë, duhet të punojmë pavarësisht a jemi sot në pushtet apo dikush është në opozitë. Interesi i Kosovës duhet të jetë mbi të gjitha dhe janë disa tema që duhet të na bashkojnë”, shtoi.

Tutje, Osmani ka potencuar se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, integrimi euro-atlantik i vendit janë prioritete kombëtare.

“Nganjëherë shkon më ngadalë, nganjëherë shkon me shpejt, por me rëndësi është që koordinohemi, të bashkëpunojmë dhe që Kosova të ecën përpara duke mos mbetur prapa, sepse nganjëherë kjo dritarja e mundësive hapet për një periudhë, por pastaj mbyllet për një periudhë të gjatë”.

“Duhet ta shfrytëzojmë momentumin dhe unë dje kam marrë një konfirmim të fuqishëm nga Presidenti Biden se do të jetë përkrah Kosovës dhe se Shtetet e Bashkuara vërtet e konsiderojnë Kosovën si ndër sukseset më të mëdha në historinë e vet dhe duhet ta mbajmë si të tillë”.

Kur është pyetur për veprimet e qeverisë për shtrirje të sovranitetit, Osmani ka potencuar se jo vetëm që janë të ligjshme, por edhe legjitime, derisa ka shtuar se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet ta shtrijë sovranitetin e saj të plotë në çdo cep të territorit.

“Në çdo rast kur kemi punuar afër me shtetet perëndimore e në veçanti me aleatët tanë në SHBA dhe shtete të caktuara të BE-së dhe kemi koordinuar hapat, në ato raste këto hapa kanë qenë shumë më të qëndrueshme, sukseset kanë qenë më afatgjata dhe vet akti i shpalljes së pavarësisë ka qenë i tillë”.