Lajme

Osmani: Hap pas hapi, drejt çrrënjosjes së korrupsionit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur rreth përparimit të Kosovës në luftën kundër korrupsionit, bazuar në indeksin e perceptimit të hartuar nga Transparency International.

Osmani ka thënë se luftimi i korrupsionit vazhdon të jetë njëri nga prioritetet kryesore të Qeverisë.

“Para një viti premtuam që luftimi i korrupsionit do të ishte një prej prioriteteve kryesore të institucioneve të reja”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka thënë se këtij premtimi po ju shfaqen rezultatet e para premtuese, duke shtuar se kjo tregon se vendi është duke ecur hap pas hapi drejt “çrrënjosjes së korrupsionit”.

“Sot, ky premtim po sheh rezultatet e para jashtëzakonisht premtuese. Gjatë vitit që lamë pas, Republika e Kosovës shënoi rritje prej 17 pozitave në publikimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021 të Transparency International – ngritja më e lartë vjetore për Kosovën në historinë e publikimit të Indeksit. Hap pas hapi, drejt çrrënjosjes së korrupsionit”.

Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka uruar Kosovën që ka përparuar për 17 vende në raportin e ri të Transparency International.

“Urime Kosovës që përparoi për 17 vende krahasuar me vitin e kaluar në Indefksion e Përceptimit të Korrupsionit. Ka shumë punë para. BE-ja përkrah plotësisht Kosovën në luftën e saj kundër korrupsionit”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Gjithashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur lajmin për pozicionin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se do të punojnë edhe më shumë kundër krimit dhe korrupsionit institucional, derisa Kosova të jetë afër vendeve të pastra nga korrupsioni.

“Zotimi ynë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional është duke dhënë sinjalet e para shumë optimiste. Nga pozita 104 në pozitën e 87, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova e ka përmirësuar pozitën e saj për 17 vende”.

“Ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës, veprimet tona kundër korrupsionit, vlerësohen pozitivisht nga organizata kredibile. Sigurisht që duhet edhe më mirë e sigurisht që do të punojmë më shumë, derisa Kosova të jetë afër e bashkë me vendet e pastra për nga korrupsioni”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Republika e Kosovës ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 39-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

Kurse në vitin 2020, Kosova kishte 36 pikë.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

Nga vendet e rajonit, përparim ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut, e cila ka 39 pikë, katër më shumë sesa vitin e kaluar.

Shqipëria ka 35 pikë – një më pak sesa një vit më parë.

Bosnje-Hercevogina ka po ashtu 35 pikë, por nuk ka ndërruar pozitë.

Serbia nuk ka ndërruar pozitë po ashtu me vitin e kaluar. Ka sërish 38 pikë.

Mali i Zi qëndron më së miri në rajon sa i përket luftës kundër korrupsionit me 46 pikë, një më shumë sesa vitin e kaluar.

Megjithatë, Indeksi për vitin 2021 flet për një bllokadë në luftën kundër korrupsionit në gjithë botën, pasi 86 për qind e shteteve kanë bërë pak apo aspak përparim në 10 vjetët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore