Lajme

Osmani e Kajari flasin për sigurinë në Kosovë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajari, me të cilin ka biseduar për aspekte të sigurisë dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon dhe më tej.

Sipas zyrës për media të Osmanit, kjo e fundit e vlerësoi kontributin e NATO-s përmes KFOR-it si qenësor për paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon.

“Ajo gjithashtu shprehu vlerësimin për angazhimin e Hungarisë në kuadër të KFOR-it. Edhe komandanti Kajari falënderoi Presidenten për bashkëpunimin dhe uroi që Kosova edhe më tej, nën komandën pasuese të KFOR-it, të vazhdojë të mbetet vatër e stabilitetit dhe e paqes”, thuhet në njoftim.

Kajari, gjatë një interviste në RTK kishte theksuar se “s’ka rrezik për luftë në Kosovë”.

“Mendoj se lufta nuk është çështje relevante besoj unë. KFOR-i nuk ka parë asnjë indikacioni për një ngjarje të tillë. Nuk ka kërcënim për luftë në këtë pjesë, NATO dhe KFOR-i janë këtu”, theksoi Kajari.

Ai ka shtuar se NATO për një kohë relativisht të shkurtër, mund të shtojë trupa ushtarake dhe mjete shtesë nëse për këtë ka nevojë, “por nuk është mirë të flitet për luftë, këtë e kemi diskutuar edhe me kryeministrin Kurti”.

Më 15 tetor të vitit të kaluar, Ferenc Kajari, ishte emëruar komandanti i ri i KFOR-it.

Në vitin 1996, Gjeneralmajor Kajári mori pjesë në misionin KFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe më pas në Misionin e Bashkimit Afrikan në Sudan dhe Afganistan.

KFOR -i aktualisht ka 397 ushtarë nga Hungaria. Një numër më të madh ushtarësh kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës 660 dhe Italia me 628 ushtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore