Lajme

Osmani diskuton me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Sllovenisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe zëvendëskryetari i Parlamentit të Sllovenisë, Danijel Krivec.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Slloveni ka zhvilluar takime të ndara me zëvendëskryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Danijel Krivec dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Sllovenisë, Alojz Kovshca.

Në njoftimin për media është bërë e ditur se Osmani ka folur edhe për marrëdhëniet e shkëlqyeshme të Kosovës me Slloveninë.

“Sipas Presidentes Osmani, diplomacia parlamentare është gjithmonë në shërbim të përafrimit të dy vendeve dhe thellimit të bashkëpunimit strategjik në mes tyre”.

Ndërsa, theks të veçantë në diskutim i kanë dhënë anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani në takim me zëvendëskryetarin e Parlamentit të Sllovenisë dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Sllovenisë, ka potencuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe përkrahjen e nevojshme nga Sllovenia në këtë drejtim”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Slloveni.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me ceremoni shtetërore në Slloveni, të hënën e 4 korrikut.

Ajo pas takimit me homologun e saj të Sllovenisë, Borut Pahor në një konferencë për media kanë bërë të ditur se kanë diskutuar për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Sllovenisë.

Ai ka thënë se të dy vendet vazhdojnë të kenë marrëdhënie të shkëlqyeshme në aspekte të ndryshme.

“Marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme, në aspektet ekonomike, politike dhe kulturore si dhe në aspektet njerëzore. Siç e dini, qysh në vitet e tetëdhjeta Sllovenia e mbështeti përpjekjet e Kosovës që të bëhet shtet i pavarur”.

Presidentja, ka rikujtuar historikun e gjatë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Siç e dimë kemi të përbashkët një histori të gjatë mes vete, dhe marrëdhënie të ngrohta përzemërsisht. Por edhe të ardhme të përbashkët. Sllovenia për një kohë të gjatë ka qenë mbështetëse e Kosovës. Sllovenia është shembull i jashtëzakonshëm i asaj se çfarë mund të arrihet përmes përparimit ekonomik dhe i integrimeve euro-atlantike. Është shembull i ndritshëm”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Slloveni.

Sa i përket rrugëve evropiane, e para e Kosovës theksoi se nuk do të dorëzohen në këtë drejtim si shtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore