Film

Oscars po humbet shkëlqimin – shumë show, pak audiencë


Ani pse akoma cilësohet si evenimenti më prestigjioz i kinematografisë botërore – ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscars, i ka rënë shkëlqimi – kjo pasi që mediat amerikanë kanë raportuar se interesimi i njerëzve për ta ndjekur është ulur dukshëm në dekadën e fundit.

Audienca e kësaj ceremonie madhështore ka rënë me 70% në dekadën e fundit. Vlerësimet kanë rënë vazhdimisht me disa milionë çdo vit që nga viti 2014, përveç vitit 2019, kur pati një rritje modeste prej 3.1 milionë shikuesish.

Vitin e kaluar, vlerësimet për shfaqjen ranë me më shumë se 50% nga një vit më parë dhe sipas prestigjiozes, “The Hollywood Reporter”, këtë vit Oscars u rimëkëmb pak nga ceremonia e vitit të kaluar, e cila tërhoqi vetëm 10.4 milionë shikues – numri më i ulët ndonjëherë.

Ishte pikërisht periudha me pandemi COVID-19 dhe organizimi i shfaqjes në versionin virtual që shkaktoi një ulje të audiencës me një numër jashtëzakonisht të ulët gjatë ceremonisë së Oscars 2021.

Në një artikull të “ New York Times”, Ross Douthat shkruan se “brenda harkut më të madh të historisë së Hollywood ne nuk po shikojmë vetëm rënien e Oscars, ne po shikojmë fundin e filmave”.

“Edhe kur Hollywood përpiqet të sjellë magjinë e vjetër, me fjalë të tjera, publiku nuk është më aty për të. Ky fund ka ardhur gradualisht, i paralajmëruar në përhapjen e televizionit, shpikjen e VCR, përhapjen e TV kabllore dhe mitologjizimin konstant të Hollywood-it“, u tha tutje në artikull.

Tutje, mes arsyesh të rënies së shikueshmërisë së Oscars, cilësohet të jenë edhe rritja e konkurrencës së ceremonive të ndarjes së çmimeve si dhe zhvillimi i teknologjisë bashkë me opsionet abonuese.

“Ceremonia e Oscars 2017, ka tërhequr më shumë shikues sesa ceremonia e vitit të kaluar, por gjithsesi në total shifrat janë shumë më poshtë sesa viteve të mëparshme”, shkruan “The Guardian”.

Transmetimi i ceremonisë së sivjetme që zgjati pothuajse katër orë ka tërhequr 15.36 milionë shikues bazuar në të dhënat e Neilsen – kjo shifër tregon një rritje prej 56% në krahasim me Oscars 2021.

Gjithsesi, ceremonia e Oscars e vitit të kaluar mbetet me nivelin më të ulët të të gjitha kohërave prej 10.4 milionë shikuesish dhe bëri që Akademia dhe ABC të ndryshonin shumë rregulla në një përpjekje për të tërhequr më shumë shikues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore