Lajme

Oscar Pistorius mbetet në burg


Atleti paralimpik, Oscar Pistorius, nuk do të lirohet nga burgu, të paktën deri në gusht të vitit tjetër.

Ka qenë ky vendimi i një Gjykate në Afrikën e Jugut, lidhur me medalistin e artë olimpik në lojërat paralimpike, i cili është dënuar me 13 vjet burgim, për shkak se ka vrarë ish të fejuarën e tij, Reeva Steenkamp, në vitin 2013.

Argumentimi i gjykatës ka qenë i thjeshtë, duke rrëzuar kërkesën e Pistorius dhe duke sjellë në vëmendje faktin se ai nuk ka shërbyer mjaftueshëm dënim, sa për të përfituar nga një falje e viteve të mbetura.

Atleti e kishte kërkuar prej kohësh një seancë të tillë dëgjimore, por kërkesat e tija nuk u morën parasysh.

Një letër kishte shkuar nga autoritetet më të mëdha të apelit në shtetin jugor afrikan, ku theksohej po ashtu se Pistorius duhet të qëndronte të paktën edhe një vit e gjysmë në burg, derisa të lirohej.

Një dëgjesë e tillë gjithsesi u kritikua, pasi nuk duhet të kishte ndodhur aspak.

Disa zyrtarë, prej javësh, kishin ngritur në themel çështjen, duke parashtruar se sprinteri e kishte të mundur të aplikonte për falje, duke qenë se ka shërbyer 10 nga 13 vitet e dënimit.

Mirëpo, gjykata, nuk mendoi kështu, duke thirrur palë në dëgjesë, përfshi mamanë e Steenkamp, duke rezultuar më pas në rrëzimin e kërkesës së Pistorius.

Familja e këtij të fundit ka sjellë në vëmendje ngjarjet dhe po kërkon shpjegime juridike mbi vendimin tashmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore