Zgjedhjet në Shqipëri

OSBE për Albanian Post: Mbështesim KQZ për votën e emigrantëve


“OSBE-ja e ka mbështetur KQZ-në, duke i dhënë një studim krahasues mbi pesë modele të zbatimit të votës së emigrantëve në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian”.

Për Albanian Post, prezenca për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë, ka bërë me dije se “asistenca teknike është dhënë vazhdimisht ndaj institucioneve shqiptare në organizimin e zgjedhjeve”.

“Vitin e kaluar, kemi marrë një kërkesë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ministri i Shtetit për Diasporën”, thuhet në komentin e OSBE-së, mbi pyetjet e shtruara nga Albanian Post për votimin e emigrantëve.

“Prezenca e mbështeti KQZ-në duke i dhënë një studim krahasues të pesë modeleve që zbatohen në Ballkan dhe Evropë. Ky studim, shërben për të ndihmuar vendimmarrjen e KQZ-së për votën e emigrantëve”.

Gjithsesi, organizata evropiane ka nënvizuar se vendimi i fundit, i takon KQZ-së mbi këtë çështje. “Mënyra si duhet organizuar vota e emigrantëve, veçanërisht në rrethanat sfiduese të pandemisë Covid-19, u takon autoriteteve shqiptare”, përmbyllet deklarata.

Vota e emigrantëve

Në Shqipëri, flitet prej tashmë më shumë se dy dekadash për votimin e diasporës. Prej katër zgjedhjesh parlamentare, janë hedhur shumë ide në dritë. Pavarësisht kësaj, asnjëra nuk ka qenë e suksesshme dhe votim konkret, nuk ka pasur.

Këtë vit gjithsesi, më shumë se kurrë, po shihet konkretizimi i votës së emigrantëve. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka argumentuar më parë se, “nga aspekti logjistik, vota e emigrantëve mund të mundësohet”.

Ka një ngërç ndërkohë, përsa i përket procedurave. Kjo, për shkak se diaspora, duhet të kryejë vetëdeklarim të adresave. Deri më tani, shumë pak e kanë kryer procedurën.

Ministri i Shtetit për Diasporën ndërkohë, Pandeli Majko, ka theksuar faktin se, nëse emigrantëve nuk u mundësohet vota, atëherë Kushtetuta shkelet. Kjo gjë tregon rëndësinë që merr vota e emigrantëve në votimet e 25 prillit.

Ish kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, ka deklaruar për Albanian Post më parë se, votat e emigrantëve, mund të jenë vendimtare në përcaktimin e rezultatit zgjedhor.

Çfarë mendojnë vetë emigrantët?

Ndërkohë që në Shqipëri ngrihet një çështje më vete mbi votimin e diasporës, ajo që ende nuk dimë, është qasja e vetë emigrantëve. Si ndihen ata për të drejtën e mundësimit të votës së tyre? Mbi të gjitha, a do t’i drejtohen kutive, nëse mundësohet votimi i tyre nga vendi ku banojnë?

“Nëse do të jetë e mundur do të votoj”, thotë për Albanian Post, Mimoza nga SHBA-ja. “Është vota ime. Mund të jetë zëri im në shoqërinë shqiptare. Dua të votoj për çdo bashkëmoshatarin tim që ndihet i cënuar në Shqipëri”.

Geni nga Italia, ka tjetër mendim: “Nuk bëhet fjalë! E kam pësuar një herë kur jam kthyer për të votuar në Shqipëri, në 2009-ën. Nga atëherë, nuk votoj më, edhe nëse ma sjellin fletën në shtëpi. Jam i zhgënjyer”.

“Do të isha e para që do të votoja nëse bëhet”, jep pikëpamjen e saj Desada nga Anglia. “Dua të votoj për një të ardhme më të mirë. Shqipëria meriton të ecë përpara”.

Merita, nga Gjermania, thotë se është ajo vetë që i ndihmon prindërit e saj. “Nuk kam pse të votoj kur më duhet t’i dërgoj pará çdo muaj prindërve për të jetuar atje”.

Qasjet, janë të dyzuara. Pavarësisht kësaj, vota e emigrantëve, mbetet një e drejtë e tyre. Si e tillë, duhet mundësuar, pa lënë hapësira për keq interpretim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore