Lajme

Orkideja më e njohur e Japonisë mendohej se ishte e vetme, në fakt janë dy


Në Japoni, një vend me një histori të pasur dhe të lashtë të hortikulturës, sot është jashtëzakonisht e rrallë që të identifikohet një specie e re bimore.

Por një e fundit është rritur tanimë dhe është jashtëzakonisht e bukur.

Spiranthes hachijoensis, petalet rozë të së cilës kanë një ngjashmëri të habitshme me punimet e qelqit, mund të gjenden në mjedise të zakonshme si lëndina dhe parqe, madje edhe në kopshte private dhe në ballkone.

Por deri më tani nuk kishte pasur emër. Kjo sepse besohej se të gjitha Spiranthes në kontinentin japonez ishin një specie e vetme, ndërsa në fakt janë dy.

Spiranthes australis është orkideja më e njohur e Japonisë. Ajo është ruajtur – dhe e dokumentuar – atje për shekuj.

Pikërisht teksa shikonte Spiranthes australis gjatë punës në terren, profesor Kenji Suetsugu vuri re se disa Spiranthes në dukje të zakonshme ose të kopshtit kishin kërcell pa gjemba.

Suetsugu dhe kolegët nga Universiteti Tohoku dhe Instituti i Kërkimeve Pyjore të Tajvanit filluan një studim dhjetëvjeçar të luleve, duke mbledhur ekzemplarë nga vende në Japoni, Tajvan dhe Laos.

Duke integruar rezultatet nga analiza e ADN-së, morfologjia, vëzhgimet në terren dhe biologjia riprodhuese, Suetsugu dhe bashkëpunëtorët e tij zbuluan se ajo ishte një specie e fshehtë që shfaqte një nivel të lartë divergjence molekulare, pavarësisht ngjashmërive të dukshme me të tjerat.

Spiranthes hachijoensis shpesh rritet së bashku me Spiranthes australis, por lulëzon rreth një muaj më parë.

Studiuesit thonë se fakti që Spiranthes i zakonshëm është i ndarë në dy lloje ka të ngjarë të zgjojë kureshtjen e publikut të gjerë.

“Ky zbulim i specieve të reja të fshehura në zona të zakonshme nënvizon domosdoshmërinë e eksplorimit të vazhdueshëm, madje edhe në mjedise në dukje të papërsëritshme”, ka thënë Suetsugu.

Po ashtu thekson “nevojën e vazhdueshme për kërkime taksonomike dhe gjenetike për të vlerësuar me saktësi diversitetin e specieve”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore