Lajme

Organizohet testi për inteligjencë për rekrutët e FSK-së – Mehaj: Do të ketë transparencë dhe meritokraci


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se pas testimit fizik, në pesë kazermat e FSK-së është organizuar testi i Inteligjencës dhe Njohurive të Përgjithshme për kandidatët e konkursit për ushtarët e rinj të FSK-së.

“Të gjithë kandidatëve ju uroj suksese dhe ju garantojmë se do të kalojnë vetëm më të mirët nga më të mirët. Transparenca si dhe parimi i meritokracisë dhe mundësisë së barabartë, është moto e qeverisjes sonë”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ndryshe më 21 tetor, Mehaj, pati thënë se do të pranohen mbi 800 ushtarë të rinj.

Ai në një konferencë për media kishte thënë se Ministria e Mbrojtjes do të ofrojë transparencë gjatë gjithë procesit deri në pranimin e tyre.

“Sot zyrtarisht hapim konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj të forcës së Kosovës. Ky është konkursi për pranimin më të madh të numrit deri më tani. Ministria e Mbrojtjes të gjithë të interesuarve u garanton proces fer dhe do të jetë transparent në të gjitha rrethanat. Do të zbatohen të gjitha procedurat e kriteret ku do të zgjidhen më të mirët nga më të mirët”, pati thënë Mehaj.

“Konkurroni pa hezitim sepse FSK është e gjithë qytetarëve të Kosovës në shërbim ndaj vendit dhe obligimit të përbashkët. Shërbimi në ushtrinë për vendin është detyrim i shenjtë, borxh dhe nder ndaj historisë sonë të dhimbshme dhe të lavdishme”, shtoi ai.

Mehaj kishte theksuar se gjatë takimeve në SHBA ka marrë përkrahje të plotë, ndërsa është diskutuar për stërvitje të përbashkëta e po ashtu edhe për blerje ushtarake përmes programit FMS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore