Shqipëria

Organizatat ndërkombëtare letër Ramës, “hiqi kufizimet ndaj gazetarëve”


Gjashtë organizatat ndërkombëtare me anë të një letre të hapur i kanë kërkuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të heqë “kufizimet” ndaj gazetarëve.

Kjo ka ardhur pas incidentit të ndodhur disa ditë më parë me një gazetar, ku Rama i tërhoqi vërejtje dhe nuk iu përgjigj pyetjes së tij.

Në letër shkruhet se këto kufizime ndikojnë në aftësinë e shtypit, duke e cilësuar pyetjen e gazetarit të drejtë dhe ndalimin e tij, arbitrar.

“Organizatat tona janë të shqetësuara se këto kufizime arbitrare ndikojnë seriozisht në aftësinë e shtypit për të kryer rolin e tyre mbikëqyrës dhe për të kërkuar përgjigje për çështje sfiduese”.

Kjo pasi sipas tyre, ato janë gjithashtu emblematike e problemeve më të thella në lidhje me aksesin në informacion për gazetarët dhe pengimin e gazetarisë së lirë dhe të pavarur në Shqipëri, e cila renditet e 103-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF-së, duke rënë çdo vit me 20 vende.

Në vlerësimin e organizatave, pyetjet e gazetarit përfshinin një çështje legjitime me interes publik mbi Kodin e Etikës të Këshillit të Ministrave të sapokrijuar dhe konflikte të mundshme interesi që përfshijnë ministren në fjalë, dhe për këtë arsye justifikonin një përgjigje.

“Në vend të kësaj, ai tani përballet me një ndalim arbitrar prej tre muajsh nga konferencat për shtyp, gjë që do të ndikojë seriozisht në aftësinë e tij për të kryer siç duhet detyrat e tij profesionale”.

Nga ana tjetër, Rama është shprehur pas incidetit se “nuk mund ta legjitimojmë lirinë e shpifjes dhe fyerjes”.

“Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike!”

Ky ka qenë mesazhi i Ramës, duke iu përgjigjur zërave kritikues.

Sipas tij këtë gjë, “nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim”.

“E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave, që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht”.

Mesazhi i tij është i qartë: Kërkesa s’mund të plotësohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore