Stil

Orët, tendencat dhe lidhja e tyre me personalitetin


Ora është aksesori që nuk del kurrë nga moda.

Përveç funksionit primar të saj, duket se orët janë një bizhuteri shumë e rëndësishme për t’u përshtatur me look-un e gjithsecilit prej nesh. Prej vitesh orët kanë qenë sfida për kompanitë dhe dizenjuesit e tyre.

Ata tejkaluan çdo pritshmëri të publikut me çmimet e tyre. Përveç funksionit për të treguar kohën, ora shërben edhe si art. Janë të shumtë meshkujt dhe femrat që i kanë pjesë të pandashme të koleksioneve të tyre.

Çdo orë ndryshon në çmim, në punim, por edhe në dizajn. Më e rëndësishme është fakti se ora përshtatet edhe me karakterin e personit që e mban.

 

Të mbash një orë në dorë, do të thotë të prezantosh veten si një person që e vlerëson kohën, është i përpiktë dhe tejet i sigurt në hapat që hedh. Kështu, çdo njeri që zgjedh një orë identifikon një person.

Cilat janë markat më të shitura dhe sa të prirë janë shqiptarët për të blerë ora?

Albanian Post ka kontaktuar me disa prej dyqaneve më të njohura të orëve në Tiranë. “Preciosa Albania”, i cili aktualisht është i shtrirë në katër dyqane, u prononcua duke thënë se 4 vitet e fundit kërkesa për ora është rritur ndjeshëm.

Ema Tabaku, punonjëse e këtij dyqani, u shpreh “Markat më të njohura në dyqanin tonë janë: Pierre Lannier, Tommy Hilfiger, Bulova, Guess, Just Cavalli, Calvin Klein etj. Çmimet variojnë nga 100 euro deri në 2000 euro më e shtrenjta”.

Çelestia Dinga, menaxhere e dyqanit “Premium Watches Tiranë”, tha se “Orët janë shumë të preferuara, sidomos për dhurata në data të veçanta, kryesisht për meshkujt. Përgjithësisht, orët e këtij dyqani janë marka të Zvicrës. Nëse je një person që të pëlqen madhështia dhe e bukura, atëherë zinxhiri ngjyrë ari në dorën tënde reflekton vetë në heshtje.

Sapo sytë bien mbi numrat romakë dhe rripin në dukje të vjetëruar të lëkurës, mendja menjëherë ndërlidhet me filmat dhe personazhet e viteve ‘40. Një person detajist dhe kreativ nuk është vetëm në kërkim të një ore, por të atij detaji që bën diferencën dhe që personifikon diçka më tepër se një objekt”, u shpreh punonjësja.

 

Zgjedhja e orës së duhur është gjithnjë, më shumë se blerja e një aksesori. Të zgjedhësh orën që do mbash në dorë, do të thotë të përçosh me një shikim të vetëm atë çfarë ti në të vërtetë je. Mënyra sesi ne zgjedhim ta shfaqim veten, është e gjitha në dorën tonë. Thënë më mirë, në orën tonë.

Pronari i dyqanit “Ora Passion”, Andi Hoxha tha, “Mendoj që prirjet e shqiptarëve për të blerë dhe koleksionuar ora të ndryshme kanë ndryshuar. Vitet e fundit kemi vënë re një rritje të kërkesave për marka të ndryshme. Njerëzit janë të interesuar edhe për detajet dhe kuptimin e orëve. Nëse dikush ka synim blerjen e një ore në dyqanin tonë, së pari interesohen për kuptimin, dhe çfarë personifikon ajo për një person të caktuar”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore