Libra

ORCA denoncon profesorët Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli për plagjiaturë


Denoncimi i ORCA-s

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORKA), para ndërtesës së Rektorartit të Universitetit të Prishtinës, ka denoncuar dy profesorë të Universitetit të Prishtinës për plagjiaturë.

Profesorët e denoncuar për vjedhje të pronës intelektuale, sipas kësaj organizate, janë Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

Dibran Hoxha, përfaqësues i kësaj organizate, në një prononcim për gazetarë tha se këtë rast nisën ta hetojnë pasi që një person i cili ka dashur të mbetet anonim, u ka dërguar punimin e dy profesorëve, për ta verifikuar nëse ka elemente plagjiature.

“Një punim, me emrin ‘DIPLOMACY THROUGH THE AGES OF HISTORY: THEORETICAL ANALYSIS OF THE CONCEPT’, i botuar në vitin 2017 me autorët Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, që të dy profesorë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, kishte elemente plagjiature”.

Hoxha tha se me të marrë këtë informacion, punimi i lartpërmendur me autorë Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli është futur në platformën ndërkombëtare për plagjiaturë Turitini, platformë kjo globale për të vërtetuar vjedhjen e pronës intelektuale ose plagjiaturë.

Më pas rezultati që ka nxjerrë kjo platformë ka bërë të ditur se ngjashmëria me burime të tjera ishte e përqindjes së lartë.

“Autorët e këtij punimi Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, kanë marrë pjesë të tekstit nga burime të ndryshme duke i përdorur në punimin e tyre dhe duke mos treguar se nga i kanë marrë ato, rrjedhimisht duke i paraqitur këto pjesë sikurse janë pjesë të punës së tyre akademike”, tha përfaqësuesi i ORKA-s.

Si organizatë u shprehën të shqetësuar me faktin se dukuria e plagjiaturës nuk i godet vetëm studentët, por është e përhapur edhe te profesorët, të cilët, ata thonë, se duhet të jenë mbrojtësit e etikës akademike.

“Ardian Kastrati, tashmë vetëm e ka një vërejtje me shkrim nga Këshilli i Etikës në kuadër të UP-së, për shkak të ofendimeve dhe gjuhës seksiste që e kishte bërë në drejtim të Presidentes së Republikës, e cila ishte edhe pjesë e stafit të UP-së”, shtoi ndër të tjera Hoxha.

ORCA ftoi organet udhëheqëse të UP-së të fillojnë procedura për verifikimin e këtyre dëshmive dhe si rrjedhojë të merren masa në përputhje me Kodin e Etikës të Universitetit të Prishtinës për Rregulloren për Procedura Disiplinore.

Ata bënë të ditur që ,gjithashtu, janë në bashkëpunim me platformën “Turitinin” për blerjen e programit me qasje të plotë në sistem, për nënshtrimin e mëtejshëm të punimeve të tjera shkencore, që profesorët universitar i bëjnë për tu avancuar në Universitet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore