Orban për vizitën në RMV: Këtu jam për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit me Bullgarinë

Bullgaria kërkon futjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut për të zhbllokuar kështu procesin e integrimit të RMV-së në Bashkimin Evropian.
SHFLETO

Viktor Orban dhe Hristjan Mickoski

 

Dini Fetahu
27.09.2024 14:03
Loading Icons...

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, duke folur për vizitën e tij në Shkup, ka thënë se ka shkuar aty për ta ndihmuar Maqedoninë Veriut në zgjidhjen e problemit me Bullgarinë, çështje që po pengon procesin e integrimit të shtetit maqedonas në Bashkimin Evropian.

Këto komente, Orban i ka bërë  në një intervistë për radion hungareze “Koshut”, të premten.

“Duhet të jem shumë i kujdesshëm në shqiptimin e Maqedonisë së Veriut, që të mos ketë asnjë problem ndërkombëtar”, tha Orban.

“Dikur ky shtet quhej Maqedoni, por për shkak të problemit me grekët, ata duhej të ndryshonin emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe unë duhet të jem shumë i kujdesshëm që ta formuloj kështu, që të mos lindë asnjë problem ndërkombëtar”, shtoi.

Kryeministri hungarez potencoi se shteti që ai udhëheqë si kryesues i Bashkimit Evropian ka vlerësuar se duhet të vizitojë vendet që janë në pozitën më të vështirë sa i përket anëtarësimit në Union, dhe t’i ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve ekzistuese, siç është rasti me RMV-së dhe Bullgarisë.

Maqedonia e Veriut duhet që të ndryshojë Kushtetutën e saj për t’i futur bullgarët në preambulën e Kushtetutës, pasi që ky është një kusht i patejkalueshëm për Bullgarinë për ta zhbllokuar Shkupin zyrtar në procesin e integrimit evropian.

“Dhe tani ka një mosmarrëveshje me Bullgarinë, e cila po bllokon procesin e anëtarësimit të tyre në BE. Për shkak të debateve rreth pozitës të minoriteteve, Hungaria si kryetare aktuale e BE-së, e konsideruam të detyrueshme që të vizitojmë ato vende që janë në pozitën më të vështirë sa i përket anëtarësimit në BE dhe t’i ndihmojmë në zgjidhjen e konflikteve ekzistuese”, pohoi ai, transmeton “TV21”.

Kjo, tha ai, “është një nga arsyet pse jam këtu”.

“Por ka edhe një arsye më të rëndësishme, kemi çështje të tjera, të cilat janë të rëndësishme, ajo është çështja e migrimit”.

Ndryshe, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut e kryesuar nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, ka arritur marrëveshje me Hungarinë për një kredi me vlerë 500 milionë eurosh, ndonëse fillimisht flitej se Budapesti do të lëshonte një kredi miliardëshe Shkupit.