Përballje

Orari i ndeshjeve të javës së 27-të në Superligën e Kosovës, në vëmendje ndeshja Ballkani – Prishtina


Pas ndërprerjes së kampionateve të futbollit, për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, sikurse në të gjitha ligat, edhe në Superligen e Kosovës, nuk u luajt futboll, përveç ndeshjes të së mërkurës ku u përballën Prishtina me Gjilanin, takim ky i cili u mbyll pa gola.

Xhiro e 27-të e Superligës së Kosovës do të fillojë të shtunën nga ora 15:00, me dy ndeshje mjaftë interesante, në mes të Arbëria – Drita dhe Drenica – Trepça’89.

Drita e cila është në garë për titullin kampion, do të përballet në udhëtim tek Arbëria, e cila është duke luftuar për mbijetesë.

Intelektualët aktualisht mbajnë pozitën e dytë në tabelë me 55 pikë, po aq sa ka edhe Ballkani i vendit të parë, kurse Arbëria pozicionohet në vendin e tetë në tabelë me 27 pikë, po aq sa ka edhe Drenica e vendit të nëntë, pozitë kjo që të dërgon në Ligën e Parë, në sezonin e ardhshëm.

Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Drenica do të jetë nikoqir i Trepçës’89, duel ky qe do të luhet për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.

Drenica gjendet në zonën e rrezikshme në tabelës me 27 pikë, ndërsa Trepça’89 mbanë pozitën e gjashtë me pesë pikë më shumë se kundërshtari i tyre në këtë xhiro.

Kryendeshja e javës së 27-të, do të zhvillohet të dielën në Suharekë, aty ku Ballkani vendas, do të ballafaqohet me Prishtinën me fillim nga ora 15:00.

Ballkani aktualisht ka 55 pikë dhe mban pozitën e parë në tabelë me pikë të barabarta me Dritën e vendit të dytë, kurse Prishtina pozicionohet e treta me katër pikë më pak se lideri aktual dhe njëkohësisht kundërshtari i tyre i së dielës.

Dy ndeshjet e para të zhvilluara ndërmjet tyre në Superligë, kanë përfunduar me rezultat të njëjtë 2:1, ku në dy rastet ka fituar ekipi vendas.

Ndeshje mjaftë interesante në ditën e diele do të zhvillohet edhe në Drenas, aty ku Feronikeli do të pret Llapin.

Feronikeli gjendet në pozitën e shtatë në tabelë me 31 pikë, ndërsa Llapi gjendet dy pozita më lartë me 33 pikë.

Ndeshja e fundit e javës së 27-të në Superligën e Kosovës do të zhvillohet në mes të Gjilanit dhe Besës.

Gjilani aktualisht pozicionohet në vendin e katërt, të cilët pas 26 ndeshjeve kanë grumbulluar 37 pikë, ndërsa Besa është thuajse e rënë nga Superliga, të cilët pas po aq ndeshjeve të zhvilluara kanë vetëm 10 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore