Sport

Orana dëshpërohet që nuk lejohet të marrë pjesë në Evropianin e karatesë: Kam punuar për këtë ëndërr për një kohë të gjatë në pritje të një medaljeje


Karateistja nga Kosova, Fortesa Orana është dëshpëruar shumë, pasi nuk u lejua të marrë pjesë në Kampionatin Evropianin të karatesë që po mbahet në Guadalajara të Spanjës.

Orana ishte një nga shtatë karateistet që nuk u lejua të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, pasi Spanja nuk ka lejuar paraqitjen e karateistëve të Kosovës me simbole të shtetit.

“Ishte një vit shumë i rëndësishëm për mua, gjithashtu një vit shumë i vështirë, ishte një vit me shumë pengesa, ushtrime, sakrifica, dëshira, ndjenja, të cilat na mohuan të drejtën për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë”.

“Kosova nuk lejohet të marrë pjesë me simbole shtetërore. Jam shumë e mërzitur me këtë lajm!!!! Jam dëshpëruar shumë, pasi kam punuar për këtë ëndërr për një kohë të gjatë në pritje të një medaljeje evropiane, kjo është një pengesë shumë e madhe për një sportist kur lufton që ëndrra e tij të fitojë, nuk është hera e parë. Unë jam ndalur, mjaftojnë 3 evropianë, se kjo politikë që po përdoret në sport është shumë e padrejtë, shpresoj që kjo politikë në sport të marrë fund, lus Zotin të më japë durim dhe qetësi në shpirt”.

Për shkak të mos njohjes së shtetit të Kosovës, shtatë karateistëve nuk u është u lejuar të garojnë në mënyrë të barabartë me garuesit tjerë në Kampionatin Evropian.

Atyre iu është dhënë lajmi nga organizatori se institucionet vendase nuk e kanë lejuar organizatorin që të shfaq simbolet shtetërore të Kosovës.

KOK, që është në kontakt me FKK-në, ka informuar menjëherë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), nga të cilët pret reagim të shpejtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore