Lajme

“Ora Zero” që ndryshoi përgjithmonë Evropën


Ora shënonte 03:43 në Tiranë.

Në Kalanchak të Krimesë edhe pse ishte një orë mbrapa zona kohore, kishte filluar numërimi mbrapsht i “orës zero”.

Fotoja e ushtarit që i largohet si hija vdekjes – pikës kufitare të kontrollit – bëri xhiron e rrjetit me shpejtësi.

Në ato momente gjithçka ishte pezulluar.

Frika dhe mbathja e tij kishte përcaktuar fillimin e një sulmi ose operacioni ushtarak.

Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, ende nuk kishte publikuar videon e gatitur për shpalljen zyrtare të “operacionit special” në Ukrainë.

Ora zero në teori është koha e caktuar për fillimin e çdo ngjarje apo veprimi, një kohë vendimtare ose kritike.

Por, në praktikë gazetarë të ndryshëm të cilët ishin korrespondentë të agjencive dhe botimeve më të shquara perëndimore po përpiqeshin të kuptonin atë që nuk dukej dhe nuk mund t’i besohej.

Çfarë kishin parë ushtarët dhe civilë ukrainas që po i largoheshin postblloqeve të Kalanchak-ut?

A ishte ky fillimi i një lufte të paralajmëruar por të papritur për rrethana të ndryshme?

Sipas raportimeve të ditës, forcat ruse kishin kufizuar më herët hyrjet dhe daljet e qytetarëve nga gadishulli në territorin e kontrolluar.

Kjo vlente për pikat e kontrollit “Kalanchak” dhe “Chongar”.

Lajmi do të raportohej nga komisionerja ukrainase e Parlamentit e për të Drejtat e Njeriut, Lyudmila Denisova.

ORA ZERO në Ukrainë: Sulmohet pika e kontrollit “Kalanchak”

Ndërtimi i pushtimit

Ora 03:59 e mëngjesit: Nga një stacion i kalimit kufitar midis Krimesë – e cila u aneksua nga Rusia në 2014 – dhe pjesëve të Ukrainës jugore u treguan se cilat mund të kenë qenë shenjat e para të pushtimit rus.

Në video, një roje në vendkalimin Kalanchak shihet duke reaguar ndaj diçkaje që shkon drejt kufirit ukrainas.

Roja fillon të lëvizë përsëri drejt portës dhe së shpejti një roje tjetër hyn në kornizë.

Rreth 25 sekonda më vonë, njerëzit që sapo kishin ecur për në Krime, shihen me valixhe duke vrapuar përtej kufirit.

Dritat fiken papritur në stacion dhe kamera kalon në bardh e zi, duke regjistruar në infra të kuqe.

Ora 4:08 e mëngjesit: Një individ i veshur me kamuflazh shihet duke mbajtur një elektrik dore duke ardhur rreth një prej stacioneve të rojeve kufitare.

Tre minuta më vonë, tre persona të tjerë të kamufluar shihen duke ecur rreth pikës kufitare. Pak minuta më vonë, kamera fiket.

Shumë shpejt pas kësaj, një tjetër kamerë në vendkalimin kufitar Chongar – i vetmi stacion tjetër aktiv i kalimit kufitar nga Krimea – tregon dritat që fiken papritur dhe, disa minuta më vonë, edhe kamera fiket.

Ora 4:50 e mëngjesit: Presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim, duke thënë se ai kishte vendosur “të kryejë një “operacion të posaçëm ushtarak” … për të mbrojtur njerëzit që janë nënshtruar abuzimit dhe gjenocidit nga regjimi i Kievit për tetë vjet”, duke përsëritur një pretendim të pabazë për Rajonin e Donbas-it të Ukrainës të mbështetur nga separatistët.

Megjithatë, ai mohoi se Rusia po planifikonte të pushtonte territoret e Ukrainës.

“Ne nuk do t’i imponojmë askujt asgjë me forcë”.

Ai vazhdoi duke paralajmëruar: “Kushdo që përpiqet të ndërhyjë, dhe aq më tepër, të krijojë kërcënime për vendin tonë, për popullin tonë, duhet ta dijë se përgjigja e Rusisë do të jetë e menjëhershme dhe do t’ju çojë në pasoja të tilla që nuk i keni përjetuar kurrë në historinë tuaj”.

Ora 5.07 e mëngjesit: Forcat ruse nisin një seri sulmesh me raketa kundër vendndodhjeve pranë Kievit, si dhe përdorimin e artilerisë me rreze të gjatë kundër qytetit verilindor të Kharkiv-it, pranë kufirit rus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore