Lajme

Opozita: Situata në Veri mund të përkeqësohet, Qeveria të koordinohet me SHBA-në


As deklarimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, se Qeveria e Kosovës u koordinua me komunitetin ndërkombëtarë për zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë, nuk i ka bindur Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputetët e këtyre dy partive janë të bindur se ekzekutivi nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për vendosjen e reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet me Serbinë.

“Po shihet qartë që nuk ka koordinim në këtë aspekt. Një gjë tjetër është informimi e një gjë tjetër koordinimi, sidomos për pjesën e veriut të Kosovës dhe nuk është e arsyeshme të bësh një herë sulmin  pastaj të bësh koordinimin”, thotë deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku për Ekonomia Online.

“Besoj që është e rëndësishme që koordinimi të jetë sidomos me ShBA-në sepse gjithmonë ka qenë përkrah çdo zhvillimi të Kosovës. Sidomos në pjesën e sigurisë gjithmonë janë ShBA që kanë dhënë vulën e fundit dhe janë faktor sigurie edhe në rajon. Një koordinimi i mirëfilltë na duhet me ShBA pa e anashkaluar pjesën e BE-së”, shtoi ai.

Përderisa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, thekson se mund të ketë përkeqësim të situatës.

“Shpresojmë të mos ndodhë më e keqja. Mirëpo rreziku është në pah, ku jemi duke parë që gjithmonë është duke u rrezikuar situata edhe mbas 30 ditësh nëse ndodh reciprociteti dhe kjo do të vazhdojë ne do të shohim vetëm keqësim të situatës. Kryeministri gjithmonë duhet të jetë në koordinim me ShBA-në dhe BE-në. Ne e pamë që edhe BE kishte reaguar për tërheqjen e barrikadave dhe të diskutohet me ShBA-në.

Sipas saj, Qeveria Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme ai e ka situatën në dorë. Kështu që duhet të marrin masa shumë të sigurta dhe të mos ndodh asnjë fatkeqësi”, tha Bytyqi.

Por, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, pati theksuar se që të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.

”SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”.

Gjithçka kishte nisur më 31 korrik kur një barrikadë ishte vendosur në fshatin në fshatin Rudare në rrugën Mitrovicë – Zveçan – Leposaviq, pasi që në mesnatën e kësaj dite Qeveria e Kosovës pritej të niste zbatimin e vendimit për ndalimin e targave “KM, etj” të lëshuara nga Serbia për veturat e serbëve në Veri të Kosovës, ku u kërkohet t’i regjistrojnë në RKS, si dhe ndalohet hyrja në Kosovë me dokumenta identifikimi të Serbisë, si masë e reciprocitetit, ku do të pajisen me një dokument të posaçëm për hyrje të lëshuar nga Republika e Kosovës.

Ngjarjet më pastaj, pas revoltës së serbëve u zhvilluan shumë shpejtë. Hapin e parë për ta ç’tensionuar situatën e bëri Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai pas takimit me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin deklaroi se ka propozuar shtyrjen e vendimit të Qeverisë për një muaj.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë u lëshuan dokumentet e para për hyrje-dalje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore