Zgjedhjet në Kosovë

Rama dhe opozita shqiptare urojnë Kurtin


Pas fitores së zgjedhjeve në Kosovë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), drejtuesit e opozitës shqiptare kanë uruar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për fitoren historike. Kryeministri Edi Rama edhe pse më vonë se të tjerët, ka uruar Vetëvendosjen për fitoren.

Kryaministri Rama uroi të gjitha forcat politike në zgjedhje. “Posaçërisht, fituesin e qartë të tyre, Lëvizjen Vetëvendosje”.

“Uroj që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën”, shkruan Rama në Twitter. “Me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik dhe social”, përmbyllet postimi.

Gjatë një konference të përbashkët në 11 shkurt 2020, pati replika midis dy kryeministrave. Gjithçka ndodhi gjatë vizitës së parë të Kurtit në Shqipëri, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës.

Gjithsesi, kjo nuk e ka ndaluar kryeministrin të urojë atë, i cili do të jetë homologu i tij, Albin Kurti.

Opozita uron Vetëvendosjen

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar fitoren e LVV-së, duke shtuar se “Kosova ka sfida të mëdha përpara”. “Jam i bindur se partia fituese dhe partitë e tjera do të arrijnë t’i zgjidhin sfidat në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, shkruan Basha në Facebook.

Kryeopozitari, thekson se do të jetë “i lumtur të bashkëpunojë ngushtësisht  me qeverinë e re të Kosovës”. Mbi të gjitha, në proceset e integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare.

“Urime Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren bindëse”, shkruan nga ana tjetër kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në Facebook.

“Kosova dhe qytetarët e saj zhvilluan një proces zgjedhor shpresëdhënës këtë 14 shkurt. Suksese Parlamentit dhe qeverisë së re. Kam bindje se do t’i japin një ritëm më të shpejtë zhvillimeve pozitive për forcimin e Kosovës”.

Kryetarja e LSI-së, ka cilësuar gjithashtu se “mirëpret mundësinë se me formimin e qeverisë së re në Shqipëri, do të ketë bashkëpunim real midis dy vendeve”.

Nga numërimi i mbi 98% të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, Vetëvendosje shpallet fituese me mbi 48% të votave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore