Kosova

Opozita, Qeverisë: Kordinohuni me ndërkombëtarët për targat


Ilustrim.

Opozita është duke kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që vendimet për targat ilegale ta marrë në koordinim me ndërkombëtarët.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, është shprehur se në raste të tilla duhet të veprohet në interesat e vendit e jo kryeneçësisë individuale.

“Kryeministri është përgjegjës për organizimin e jetës në vend, ai ka marrë përgjegjësi ai ka një plan organizativ, ka kontakte shumë të shpeshta dhe e din ku i kemi punët. Nuk është në interes të vendit që të kemi veprim kryeneçe për interesa individuale, pra vendi është para të gjithave jo vendimet”, ka thënë Dreshaj për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Dreshaj, tutje ka kërkuar që vendimet të merren bashkë me ndërkombëtaret.

“Kosova është fryt i kontributit vendor dhe kontributit ndërkombëtarë, mendoj që politika vendore duhet të jetë e koordinuar me miqtë tanë”.

Një kërkesë të ngjashme e ka pasur edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku.

“Ne si parti opozitare kemi dhënë qëndrimin tonë është përgjegjësi e Kurtit që të gjitha këto marrëveshje edhe zbatueshmërin e këtyre proceseve duhet ta bëjë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare sepse fal tyre sot jemi këtu dhe si duke qasja e kryeministrit Kurti karshi aleatëve tanë nuk është e mirë”, ka thënë ajo.

Ilustrim.

Sipas saj, çdo vendim duhet të shkojë në favor të Kosovës.

Që nga 1 shtatori, në Veri të Kosovës janë regjistruar tri raste të djegies së veturave apo të pronës së qytetarëve që kanë konvertuar targat e tyre në ato që lëshohen nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi.

“Propaganda e krerëve të shtetit serb, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe veprimet e strukturave ilegale ekstremiste e grupeve kriminale janë të koordinuara dhe në shërbim të njëra-tjetrës drejt qëllim të frikësimit të qytetarëve tanë në veri”, deklaroi Fetoshi për Radio Evropa e Lirë.

Edhe më 27 tetor, një veturë në Leposaviq të Kosovës, që kishte konvertuar targat në RKS është djegur.

Lajmin për Albanian Post, e kishte konfirmuar zëvënedësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

Përkundër kërkesës ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të martën para gazetarëve se nuk do të ketë shtyrje të afatit.

“Data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët të cikët kanë automjete me targa të stërvjetruara do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale”, pohoi ai.

Më 23 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se është një pakicë e vogël që nuk i ka konvertuar akoma targat dhe i shfytyrojnë targat e kohës së Millosheviçit, “kërkesa jonë është që të respektohet ligji, ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet”.

“Llogariteni se si do të ndiheshin ta zëmë në një shtet si Polonia nëse 25 vite pas luftës do të shihni targa të kohës së Hitlerit”, duke shtuar se “jo vetëm që është e paligjshme, por është edhe e pa moralshme”.

Ajo shtoi se Kosova është shtet i sundimit të ligjit dhe duhet ti jepet fund bandave kriminale që po i kërcënojnë qytetarët.

Ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për Albanian Post, se BE e kupton fare mirë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat është në përputhje me marrëveshjet në Bruksel, por aktualisht mund të çojë në tensione, prandaj kanë kërkuar shtyrje fillimisht për 12 muaj e më pas për 10 muaj nga qeveria e Kosovës.

“Ne kemi rekomanduar te qeveria e Kosovës që të njoftojë për një periudhë 12 muajsh për ri-regjistrim të targave. Duke përdorur të njëjtën arsye, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës një shtyrje të afatit për 10 muaj”, tha Stano për AP.

Serbët e Kosovës duke filluar nga 1 shtatori kanë pasur dy muaj kohë, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

Stano për Albanian Post: S’duam dhunë në Veri, prandaj kërkuam shtyrje për targat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore