Lajme

Opozita paralajmëron debat për mos përfshirjen e Veriut në bllok tarifa: ZRRE po e ndan territorin e Kosovës


Besnik Tahiri, Abelard Tahiri dhe Armend Zemaj

Në një konferencë të përbashkët, paritë opozitare kosovare, e kanë quajtur si problematik jashtëzakonisht të madh politik, mos përfshirjen e katër komunave të pjesës veriore të Kosovës në bllok tarifa, e propozuar së fundmi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i shokuar me një vendim të tillë, ka thënë se ai nuk është në dijeni se çfarë kompetenca ka ZRRE-ja për ta ndarë territorin e Kosovës.

“Këtu kemi një problem më të madh që është përjashtimi i katër komunave të Kosovës nga këto bllok tarifa, nuk po dua të paragjykoj, por do të kemi një debat të veçantë ekskluzivisht për këtë çështje, mos përfshirja e këtyre qyteteve nuk e di a po i qon atë pjesë të territorit drejt një autonomie”, ka thënë Tahiri.

Pas dështimit të votimit të rezolutës së propozuar nga PDK, kundër propozimit të ZRRE-së për shtrenjtimin të energjisë elektrike, partitë opozitare kanë akuzuar Qeverinë dhe mazhorancën se ata janë në koordinim të plot me ZRRE-në për çështjen e ngritjes së çmimit të rrymës.

Dhe se sipas tyre bllok-tarifat sapo të hyjnë në fuqi do të kundërshtohen me mekanizma ligjor.

“Shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovë ka dhënë një mesazh të qartë se ka një koordinim në mes të Kryeministrit të Kosovës, ZRRE-së dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në atë mënyrë që ta implementojnë një bllok tarifë e cila është e pa përballueshme për jetën e qytetarëve”, tha Tahiri.

“Mazhoranca është pro rritjes së çmimit të energjisë elektrike me tarifa dhe norma të pa përballueshme, prandaj tash e tutje do të provojmë të gjitha mekanizmat tonë ligjor dhe kushtetues, juridik e çka jo tjetër për të parandaluar një gjë të tillë”, ka shtuar ai.

Abelard Tahiri

Edhe për shefin e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ZRRE-ja dhe Qeveria kanë sinkronizim të plotë në raport me këto tarifa.

“Vendimi për ngritjen e çmimit është vendim për të varfëruar qytetarin”, ka thënë Tahiri

Ai madje ka fajësuar edhe të parin e ekzekutivit, se pse nuk po krijon zgjidhje për çështjen në fjalë.

“Albin Kurti populli të ka votuar me kriju zgjidhje, mos ik prej përgjegjësisë”, ka shtuar ai.

 

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj u shpreh se kjo që po bën qeveria është lojë.

“Këto improvizime mashtruese janë treguesi më i qartë i mosefikasitetit të kryerjes së detyrës dhe kryesorja është mbrojtja e qytetarëve me veprimet tona janë të ligjshme për mbrojtjen nga e keqja. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj loje përkundër mbështetjesh që kanë nga Lista Serbe”, ka deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore