Shqipëria

Opozita ‘non grata’ e ka mbyllur me ndërkombëtarët, thotë Xhaçka


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mendon se opozita shqiptare i ka mbyllur hesapet me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të, që prej kohës kur kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, u përcaktua si i padëshirueshëm (non grata) nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Sipas ministres, gjatë një fjale të sajën në seancën e zhvilluar në Parlament për buxhetin 2023, do të ishte e udhës që të dyja palët, të bashkoheshin mbi çështjen.

Kjo, pasi Shqipëria ndodhet përbri një përballjeje historike, si kriza e ardhur nga lufta në Ukrainë, pasuese e tërmetit të 26 nëntor 2019 dhe pandemisë COVID-19.

Por, në këto kushte, ajo çfarë opozita zgjedh të bëjë – duke e përcaktuar Berishën si opozitë – është të rreshtohet me lojën e presidentit rus, Vladimir Putin.

“Nga lufta dhe pasojat në ekonominë tonë, në vend të flasim për situatën më të rëndësishme gjeopolitike, dikush zgjodhi të sulmojë parterët strategjikë që na ndihmuan në pandemi në ditën më të keqe. Disa zgjodhën të nxinin elementët e politikës së jashtme që sot na i vlerësojnë shumë aleatët”, tha Xhaçka nga foltorja e Parlamentit.

Ndër të tjera, kryediplomatja shqiptare foli edhe për çështjen e Kosovës, pas akuzave të opozitës se reagimi i Tiranës zyrtare, erdhi më vonë seç duhej.

Për të, opozita është a paqëndrueshme në qenësinë e saj politike, pasi bie ndesh me qëndrimet që mban.

Ajo solli në vëmendje faktin se kur kryeministri shqiptar, Edi Rama, mbajti një fjalim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me në thelb një retorikë mbrojtëse për Kosovën, pakica parlamentare e akuzoi atë se po mbështeste Serbinë.

Nga ana tjetër, kur Tirana zyrtare sërish mban qëndrime për çështjen e veriut në Kosovë dhe mbështet dialogun, është sërish opozita, ajo e cila “vë kujën pse nuk po flitet për Kosovën”.

Në përmbyllje, duke e rikthyer vëmendjen tek buxheti, ajo ravijëzoi se prej fundvitit 2019, nuk ka më projektbuxhete të një qeverisjeje normale, por instrumente për të përballuar krizat, siç kanë qenë tërmeti, pandemia dhe lufta.

“Opozita duhej të ishte e bashkuar me në që edhe Shqipëria të kontribuojë sa mundet në përballje historike siç është lufta. Por ç’mund të presësh nga opozita e financuar nga rublat ruse? Lojë në favor të Putinit po e bën i njëjti aktor që në kohën e luftërave në Kosovë, thyente embargon e NATO-s”, përmbylli ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore