Lajme

Opozita me kritika ndaj kandidaturës së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia


Kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia

Pas zyrtarizmit të kandidaturës së Arben Vitisë, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për të parin e kryeqytetit, partitë opozitare kanë pasur kritika të ashpëra ndaj ministrit aktual.

Kritikat e tyre lidhen me gjendjen e krijuar së fundi nga pandemia COVID-19, duke e akuzuar ministrin Vitia për mos punë dhe tërheqje nga detyra kur vendit dhe sistemit i duhet më së shumti.

Ata po e shohin kandidaturën e Vitisë si tendencë për ikje nga përgjegjësia dhe nga situata e krijuar.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, për kandidtimin për të parin e Prishtinës.

“Ministri i Shëndetësisë, në vend se të dorëzohet para gjendjes alarmante dhe t’i lë të vetmuar punëtorët shëndetësorë dhe qytetarët për të garuar në zgjedhje lokale, duhet urgjentisht ta decentralizojë dhe thjeshtëzojë procesin e vaksinimit duke ofruar shërbime edhe në qendrat e mjekësisë familjare, si dhe nëpër qendra mobile”, ka shkruar Çitaku.

Sipas saj, shëndeti i qytetarëve është me rëndësi.

“Asgjë nuk është më i rëndësishëm se shëndeti publik. Kjo lloj apatie nga ana e institucioneve është e papranueshme”.

Kritika ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratik të Kosovës, Armend Zemaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është drejtuar ashpër ndaj kryeministrit, Albin Kurti, dhe ndaj ministritë të Shëndetësisë, Arben Vitisë.

“E keqja nuk po ka fund! Sot i kemi 1.370 raste të reja me Covid-19 dhe 1 të vdekur. Ndërkaq, ministrin e Shëndetësisë dhe kryeministrin i ka tërbuar tërësisht lufta për pushtet”.

“ Në fazën më kritike të epidemisë në Kosovë, me rritjen enorme të rasteve pozitive me Covid-19, ku vala e infeksionit me variantin Delta ka marrë përpjetën, Qeveria mendon veç për vota e pushtet”, shkruan Zemaj në rrjetin social Facebook.

Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka ironizuar me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi

Selimi kandidatin për Prishtinën e ka quajtura edhe punëtorë sezonal.

“Urime kandidatit te VV për Prishtinë. Puntor sezonal i qendrës. Sapo që të përkeqësohet situata e ndrron “baushtellën”, ka shkruar Selimi.

Zyrtarizmi i kandidaturës së Arben Vitisë, nga Lëvizja Vetëvendosje është bërë gjatë ditës së shtunë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore