Lajme

Opozita kërkon debat parlamentar për grevën në seancën e parë të Kuvendit për sesionin vjeshtor


Mimoza Kusari-Lila, Abelard Tahiri, Besnik Tahiri.

Seanca e parë e Kuvendit të Kosovës për sesionin vjeshtor mbahet më 15 shtator me fillim të orës 10:00.

Këtë e ka bërë të ditur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë.

Kusari-Lila, tha se në këtë sesion do të hyjë në fuqi edhe rregullorja e re e punës së Kuvendit.

“Kryesia e Kuvendit nuk kishte kuorum, por megjithatë me dakordancë të anëtarëve prezentë dhe shefave të grupeve parlamentare, u dakorduam që sesioni vjeshtor të mblidhet më 15 shtator në ora 10:00, me rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës”.

Ajo shtoi se nga partitë opozitare ka marrë kërkesë që të ketë debat parlamentar lidhur me situatën në arsim.

“Prandaj, me këtë rregullore fillimisht parashihet që sesioni fillon me miratimin e procesverbalit nga seancat e mëparshme, pastaj janë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, dhe tri Projektligjet e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Kusari-Lila.

Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Qeverisë ka shprehur shqetësimin e tij për mos fillimin e procesit mësimor.

“Është e hëna e tretë që duhet të fillonte mësimi, por në mungesë të dialogut social kemi ardhur në një situatë ku greva po vazhdon dhe ata që po humbin më së shumti janë fëmijët tanë”.

Tutje, ai ka paralajmëruar se në rast nuk gjendet një zgjedhje për këtë problem do të duhet të ketë debat parlamentar.

“Kjo duhet të ndalet sa më parë. Ne shpresojmë që deri ditën e enjte kur fillon sesioni vjeshtor të gjendet një zgjidhje dhe të mos ketë nevojë për debat parlamentar. Por nëse nuk gjendet ndonjë zgjedhje Kuvendi nuk ka si të filloj ndryshe vetëm me një debat parlamentar”.

Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Edhe, shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, konsideron se gjendja aktuale në Kosovë është e jashtëzakonshme, teksa shpresat i ka tek sesioni i ri vjeshtor.

“Po e fillojmë sesionin vjeshtor me shpresë që Kuvendi të jetë më efektiv”.

“Gjendja në sektorin publik dhe privat është shumë rëndë, duke qenë se jemi dakorduar që tema e grevës është një temë e rëndësishme për grupin e AAK-së gjendja është e jashtëzakonshme. Në këtë sesion vjeshtor i kemi disa prioritete, njëri ndër to është ligji i pagave”.

Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Tahiri, ka shtuar se, “bizneset private janë buzë falimentimit pasi nuk kanë subvencionim nga Qeveria”.

Ndërsa u shpreh se çështja e dialogut vazhdon të mbetet prioritet për ta.

“Çështja e dialogut është e një rëndësie të veçantë, ne shpresojmë që Kosova sa më shpejt të arrij një marrëveshje e cila është ligjërisht e obligueshme”.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore