Lajme

Opozita fajëson Qeverinë për krizën energjetike, ndërsa pozita fajëson qeveritë e kaluara


Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kritikuar se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka neglizhuar zgjidhjen e krizës energjetike.

“Dëgjova shumë diskutime më herët, e pash që shumica kanë ardhur këtu me hequr faj nga vetja. Pra, u mundojshin me heq faj nga vetja, ndërsa më mirë është që kohën ta shfrytëzojmë me diskutu e t’iu tregojmë qytetarëve të vendit se si do të jetë situata me reduktimet, sa orë do t’i kenë rrymë në ditë, dhe sa herë në ditë”, ka thënë Haradinaj.

Ai theksoi se sektori i energjisë tash e vite është viktimë e jo-stabilitetit politik.

“Ndërrimi i shpeshtë i politikave të institucioneve ndërkombëtare relevante edhe në pamundësi të një ambienti të favorshëm në realizimin e projekteve kapitale në funksion dhe të adresimit të sigurisë së furnizimit. Këta janë disa nga faktorët kryesor që e kanë sjell vendin në këtë gjendje”.

Sipas tij, për mbi nëntë muaj qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje nuk mori masa me kohë për të mos përfunduar në reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

“Por u dashtë mbi 9 muaj për të kuptuar sa emergjente është situata dhe se kërkoheshin ndërmarrja e masave emergjente për të mos përfunduar në reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke rrezikuar shëndetin dhe mirëqenien sociale të qytetarëve”, theksoi ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Valentina Bunjaku në debatin për krizën energjetike, ka deklaruar se kjo qeveri ka dështuar dhe kjo krizë siç tha ajo duhet ta çojë në shtëpi këtë qeveri.

“Kriza energjetike sa do që vjen prej rrethanave globale, ajo është tipike dështim i qeverisë së Kosovës në mënyrë se si nuk ka reaguar me kohë, dhe është treguar arrogante karshi qytetarëve dhe projekteve për energjinë. Rryma duhet ta çoj në shtëpi këtë qeveri, dhe kjo qeveri ka dështuar”, tha Bunjaku.

Deputetja Bunjaku, tha po ashtu kjo qeveri dështojë “krejt dhe drejt”.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu u shpreh se Kosova ka një kryeministër të aftë për të krijuar kriza, por të paaftë për t’i zgjidhur ato.

“Vizioni politik I qeverisë në lidhje me mungesën e energjisë elektrike është ky qeveria po thotë ose kursejeni rrymën e rrjedhimisht mos u ngrohuni e provohuni nga jeta juaj normale ose në të kundërtën do të paguani më shtrenjtë energjinë elektrike”.

Në seancën e të martës, Deliu tha se kjo qeveri krahas “ofrimit të territ”, rritjes së faturave të energjisë, ofron edhe diskriminim në furnizim me energji elektrike.

“Sepse kemi një kryeministër të aftë për të krijuar kriza dhe një kryeministër gjithashtu të paaftë për t’i zgjidhur dhe për t’i menaxhuar ato kriza”.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ju kundërpërgjigj akuzave të qeverisë duke thënë se kriza energjetike me të cilën po kalon vendi ka ardhur si rezultat i mungesës së vizionit afatgjatë për strategjinë për energji.

“Kjo gjendje që po kalon vendi është rezultat i mungesës së vizionit afatgjatë dhe strategjisë për energjinë në të njëjtën kohë dhe dështimi i Kosovës dhe akterëve institucional për të miratuar plane afatgjate për bilance në energji”, pohoi Muja

Ai pati sqarim edhe për situatën energjetike në Kosovë dhe gjendjen e saj aktuale.

“Situata energjetike në vend është përkeqësuar në saje të rënies së kapacitet gjenerues të njërit nga blloqet e Kosovës ‘B’ dhe vështirësive për të blerë energji nga importi e cila duket që gjatë dhjetorit është dhjetëfishuar në çmim”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

Më 28 dhjetor, Kuvendi i Kosovës s’ka pasur kuorum për të marrë vendim për shpalljen e gjendjes emergjente të energjisë.

Për propozimin e Qeverisë morën pjesë vetëm 55 deputetë, derisa votimi u bojkotua nga deputetët e Listës Serbe.

“S’ka kuorum për ta marrë këtë vendim, shihemi në orën 3 e 30”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e jashtëzakonshme të cilën po e mbanë Kuvendi i Kosovës, ku pikë e diskutimit është shqyrtimi i vendimit të Qeverisë për masat e energjisë në furnizimin e energjisë, u ka kërkuar deputetëve të votojnë vendimin e qeverisë për masat e emergjencës me energji elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore