Lajme

Opozita dorëzon dhjetë amendamente në Kuvend


Kuvendi i Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka dorëzuar dy amendamente në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës për buxhetin e vitit 2022.

Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“Dje, kam dorëzuar dy amandamente të nevojshme në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarjet buxhetore për vitin 2022”, ka shkruar Zemaj.

Ndërsa, ka thënë se amandamenti i parë ka të bëj me financimin e specializantëve.

“Amendamenti i parë ka të bëj me financimin e qëndrueshëm të specializantëve të lëmisë së mjekësisë, stomatologjisë dhe psikologjisë klinike, me qëllim të garantimit të cilësisë dhe zhvillimit të vazhdueshëm të kuadrove dhe shërbimeve shëndetësore në vend”.

Armend Zemaj, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Gjithashtu, amendamenti i dytë është dërguar për fëmijët të cilët janë pacientë me Fibrozë Cistike.

“Ndërsa, amendamenti i dytë i dedikohet fëmijëve pacientë me Fibrozë Cistike, për ndarjen e buxhetit për sigurimin e medikamenteve të domosdoshme për trajtimin e tyre”.

“Uroj që anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa si dhe deputetët e Paralmentit të Kosovës t’i përkrahin këto dy amendamente të arsyeshme”, ka shtuar Zemaj.

Edhe deputeti i Paritsë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku të premten ka bërë të ditur se ka dorëzuar tetë amendamente.

“Rikthimi i projektit për Ujësjellësin Shipol – Brus, në vlerë prej 4,871,351.00€, i cili është i një rëndësie jetike për qytetarët e Skenderajt”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Amendamenti i dytë është, “ndërtimi i shtëpive në veri të Mitrovicës, për kthimin e shqiptarëve në vendbanimet e tyre. Vlera e këtij projekti është 5,000,000.00€”.

Mergim Lushtaku, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

I treti dhe i katërti ka të bëjë me ndërtimin e Bashkësive Lokale në komunën e Skenderajt.

“Ndërtimi i Bashkësisë Lokale të Likocit – Skenderaj, në vlerë prej 700,000.00€, ndërtimi i Bashkësisë Lokale të Qirezit – Skenderaj, në vlerë prej 900,000.00€”.

Lushtaku ka kërkuar edhe renovimin e kullës së Xhemajl Abrisë në Drenas e cila është në vlerë prej 70 mijë eurosh.

Po ashtu, “konservimi dhe rregullimi i Xhamisë në fshatin Burojë – Skenderaj, në vlerë prej 150,000.00€”.

Si dhe rregullimin e shtratit të lumit Klina, në fshatin Tushilë në vlerë prej 250 milionë eurosh.

Edhe, “ndërtimin e Akademisë Ushtarake në Aqarevë, në vlerë prej 210,000.00€”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore