Opinione / Kolumnistët

Zoran Milanoviç, presidenti qesharak dhe i paditur i Kroacisë


Kur në fillim të vitit 2020 Zoran Milanoviç u zgjodh president i Kroacisë pas Kolinda Grabar-Kitaroviç e Bashkimit Demokratik Kroat rezultati u mirëprit me entuziazëm në Ballkan.

Gjatë fushatës Milanoviç u duk se ofronte një qasje të re krahasuar me rrugën pak konstruktive të ndjekur nga Grabar-Kitaroviç, e shquar ndër të tjera edhe për gafa diplomatike.

Shumë shpresonin se presidenti i ri nga Partia Social Demokrate do të abstenonte nga provokimi i tensioneve në rajon, sidomos në lidhje me ndërhyrjet në politikën e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Por nuk u desh shumë për të mbetur të zhgënjyer. Pozicioni i tij gradualisht do të kalonte drejt rrugës së nacionalizmit populist dhe qëndrimeve pro ruse.

E fundit ishte ajo e të hënës së 30 janarit.

Duke folur menjëherë pasi disa vende evropiane ranë dakord të dërgonin tanke në Ukrainë, presidenti kroat argumentoi duke kërkuar që Kroacia mos të përfshihej në luftë, por sipas tij, duhet të dërgojë vetëm ndihmë humanitare dhe të dënojë agresionin. Ai shkoi edhe më tej duke krahasuar aneksimin e Krimesë nga Rusia me pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

“Kush e aneksoi Kosovën? Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë ne”, tha Milanoviç të hënën në fjalimin e tij në qytetin kroat Petrinja, ku foli për luftën në Ukrainë.

“Kosova i është marrë Serbisë me dhunë, është nxjerrë, është marrë një pjesë e territorit serb. Si e quani këtë? Nxjerrje”.

Ndërsa ai dënoi pushtimin rus kundër Ukrainës do të vazhdonte t’i bënte jehonë ama politikës së Kremlin-it në lidhje me ngjashmëritë mes Kosovës dhe Krimesë.

“Unë nuk e vë në dyshim Kosovën, por të gjithë konceptin ku dikush mendon se mund të bëjë gjithçka kur i përshtatet, por kur e bën pala tjetër, atëherë është krim”, tha Milanoviç përpara kamerave. “Është e qartë se Krimea nuk do të jetë më kurrë pjesë e Ukrainës”.

Nuk është hera e parë që presidenti kroat bën deklarata të diskutueshme dhe me qëndrime konfrontuese me ato të qeverisë kroate. Të njëjta kanë qenë edhe pak para dhe pas fillimit të luftës ruse në Ukrainë, qëndrime absolutisht pro-ruse dhe në kundërshtim me qëndrimin e qeverisë, e një qeverie që është pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Ndërsa nga Prishtina nuk ka akoma asnjë reagim zyrtar në lidhje me deklarata e Milanoviç-it, Ministria e Jashtme e Kiev-it reagoi menjëherë ditën e martë.

“Ne i konsiderojmë të papranueshme deklaratat e presidentit të Kroacisë, i cili në fakt vuri në pikëpyetje integritetin territorial të Ukrainës”, tha Oleh Nikolenko, zëdhënës i ministrisë.

Reagim erdhi menjëherë edhe nga vetë kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, i cili tha se presidenti “po zhytet gjithnjë e më thellë në moçal”.

Por ky nuk ka qenë i vetmi zhgënjim nga Milanoviç.

Në shkurt të vitit 2022, përpara pushtimit rus të Ukrainës, Milanoviç ndezi një polemikë duke thënë se nuk ka stabilitet në Evropë pa Rusinë.

Ai gjithashtu argumentoi se Ukraina nuk duhet të pranohet në NATO dhe se në rast lufte trupat kroate do të tërhiqen nga Ukraina.

Në maj 2022, Milanoviç përsëri mori një pozicion mjaft pro rus, duke thënë se ai do të vërë veton ndaj pranimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO nëse mundet dhe ka refuzuar të presë trajnimin e trupave ukrainase në Kroaci.

Në gusht të po të njëjtit vit, Milanoviç tha se sanksionet perëndimore kanë dëmtuar Kroacinë dhe nuk janë efektive kundër Rusisë. Si anëtare e BE-së dhe NATO-s, qeveria kroate vendosi sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Në janar të këtij viti, Milanoviç kritikoi drejtpërdrejt sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, duke i quajtur ato “një katastrofë dhe marrëzi totale”.
Një nga skandalet e Milanoviç-it ka qenë një deklaratë e tij gjatë një darke, ku mohonte se në Srebrenicë, ku u masakruan mbi 8 mijë myslimanë gjatë luftës së Bosnjës 1992-1995, të ishte kryer një gjenocid i mirëfilltë.

Në Srebrenicë në vitin 1995 do të ishin “kryer krime të rënda, por jo një gjenocid i vërtetë”, pati deklaruar Milanoviç.

Mohimet e mëvonshme të Presidencës së Zagrebit, të cilat flisnin për interpretime të pasakta të fjalëve të Milanoviç-it, ishin pak të dobishme, për të shuar indinjatën që ato krijuan.

Jo të pakta kanë qenë ndërhyrjet në politikat e Bosnjës dhe në influencën për ndryshimin e ligjit elektoral atje. Shpesh duke përdorur anëtarësimin e Kroacisë në BE duke dhënë imazhin e përfaqësimit të vlerave dhe standardeve evropiane që duhet të përcjellin në Bosnjë.

Dihet që figura e Presidentit në Kroaci është një figurë ceremoniale edhe pse ai është Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura.
Por pavarësisht kësaj qëndrimi pro rus i Milanoviç-it ( edhe pse ai e mohon këtë) nuk bëri gjë tjetër veçse entuziazmoi shpirtrat nacionalistë në Rusi dhe Serbi, duke i shkaktuar një dëm të rëndësishëm imazhit të vendit që është anëtar i NATO-s dhe BE-së.

Nuk mendohet se ky dëm mund të shkojë më tepër se kaq.

Por sigurisht nga njëra anë vë në dukje akoma më shumë problemet që ka Brukseli brenda vetes, atij Unioni jo vetëm politik, por edhe vlerash.

Von der Leyen në fjalimin e saj të parë mbi gjendjen e Unionit pati thënë “vlerat evropiane nuk janë në shitje”. Por në këto vite populizmash dhe sovranizmash kjo maksimë ka qenë më se e diskutueshme.

Nga ana tjetër qëndrimi i presidentit kroat e bën akoma më emergjente dhe të dukshme për Evropën nevojën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.


Lajmet kryesore