Opinione / Ekonomi

Trekëndëshi ekonomik i Kosovës


Sistemi financiar është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, pasi mundëson transferimin e parave nga ata që kursejnë te ata që kanë nevojë për to.

Kalimi nga ekonomia komanduese në ekonominë e tregut nënkupton liberalizimin e te gjithe sektorëve duke përfshirë edhe sistemin financiar. Vendet e Evropës Lindore dhe qendrore e transformuan sistemin e tyre financiar me shumë studime duke njohur karakteristikat specifike të secilit sektor dhe industri.

Kosova pas vitit 1999, filloi transformimin dhe ristrukturimin e ekonomisë pa kuptuar se si funksionon mekanizmi i tregut të lirë. Rezultatet e synuara të liberalizimit ekonomik në Kosovë nuk arritën rezultatet e parashikuara, përfshirë edhe ato ne sistemin financiar.

Bankat janë aktorët kryesorë brenda vendeve të BE-së, të cilat sigurojnë pothuajse 80% të kredive totale në ekonomi. Sidoqoftë, bankat janë në konkurrencë të vazhdueshme me tregjet e kapitalit, gjë që nuk i lejon ato të kenë pozitë dominuese brenda sistemit.

Normat e interesit në Kosovë nuk kishin justifikuar rreziqet e ekonomisë së Kosovës, pasi që të gjitha rreziqet ishin më të ulëta në Kosovë krahasuar me vendet e rajonit. Të gjitha inputet e rrezikut që përcaktojnë normën e interesit ishin më të ulëta në Kosovë, të tilla si huatë me probleme, rritja ekonomike, rreziku i kursit të këmbimit etj.

Çmimet janë sinjalet më të besueshme të ekonomisë, kur operatorët nuk mbajnë fuqi në treg. Për këtë qëllim, kërkohet ndërhyrja e qeverisë kur çmimet në treg nuk arrijnë të gjenerohen nga forcat e tregut (kerkesa dhe oferta). Normat e interesit pasqyrojnë çmimin e produktit që në rastin tonë janë kreditë e bankave.

Nëse normat e interesit në Kosovë kishin pasqyruar konkurrencën e lirë, ende ky problem nuk ka marrë përgjigje shkencore. Studimet shkencore janë shumë të kufizuara në Kosovë lidhur me industrinë bankare dhe ato që bëhen janë kryesisht mbi baza vullnetare. Sot normat e interesit në industrine bankare te Kosovës justifikojnë funksionimin e njësive private , pasi kërkohet një nivel i caktuar fitimesh për t’u dhënë mundësi pjesëmarrësve të jenë pjesë e tregut.

Bazuar në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2019, normat mesatare të interesit ne kredi janë në intervalin prej 6%. Për këtë arsye, çdo ndërhyrje për të përmirësuar më tej normat e interesit në industrinë bankare të Kosovës do të përkeqësonte dinamizmin e kësaj industrie. Nëse normat e interesit në industrinë bankare në Kosovë duhet të jenë më të ulëta, kjo duhet të vijë nga forcat e tregut siç munde te jene tregjet e kapitalit.

Tregjet e kapitalit janë çështja më komplekse në sistemin financiar, pasi kërkon një monitorim të fortë të qeverisë. Argumenti se ekonomia e Kosovës është e vogël dhe nuk mund të mbajë tregjet e kapitalit, nuk qëndron. Estonia me 1.3 milion banorë dhe Lavtia me 1.9, kanë tregje efikase dhe konkurruese të kapitalit. Ne nuk mund të pretendojmë të kemi kompani të listuara me kapitalizim te larte të tilla si në SHBA, por tregu ynë i kapitalit do të pasqyrojë madhësinë e firmave tona.

Tregjet e aksioneve të vendeve ballkanike tashmë janë bashkuar me një platformë të përbashkët tregtare aksionesh të njohur si See Link, të tilla si Kroacia, Maqedonia, Bullgaria dhe Serbia. Platforma e përbashkët u mundëson vendeve me vëllim të dobët tregtar të marrin qasje në fonde nga investitorë ndërkombëtarë.

Kosova dhe Shqipëria ende nuk kanë tregje të kapitalit gjë që nuk lejon t’i bashkohen kësaj platforme ballkanike. Sidoqoftë, tregjet e kapitalit për Kosovën janë mjaft të rëndësishme që do të lejonin kthimin e disa prej investimeve të fondit pensional të Kosovës, investimet e diasporës, investitorët ndërkombëtarë etj.

Për më tepër, tregjet e kapitalit qëndrojnë si një zëvendësim për operacionet bankare të cilat do të bënin që normat e interesit të ulen në industrinë bankare të Kosovës. Prandaj, në lidhje me krijimin e tregut të kapitalit në Kosovë, unë do të trajtoj kete problem në artikujt e ardhshëm.


Lajmet kryesore