Opinione / Politikë

Tre mënyrat e mundshme të daljes nga lufta në Ukrainë


Gianluca Mercuri

Putin-i do të përpiqet të na ndajë. Duhet ta vendosim me shpatulla pas murit, ta dobësojmë, ndoshta ta eliminojmë.

Putin-i nuk do të ulet kurrë në tryezë nëse nuk ndalojmë së dhëni armë për Ukrainën.

Putin-i mund të ndalet jo duke e “poshtëruar”, por duke i dhënë një rrugëdalje që në të vërtetë do ta dëmtonte atë në planin afatgjatë.

Pas tre muajve luftë, në Perëndim po marrin formë tre qasje të ndryshme.

Sepse tani është koha të pyesim veten për fundin e lojës, si do të përfundojë, si është më mirë të përfundojë.

Le të përpiqemi të përvijojmë tre skenarët, që janë tre mënyra për të bërë politikë, tre mënyra për të ndërtuar botën që do të dalë nga kjo luftë.

“Putin-it nuk duhet t’i jepet asgjë”

Kjo është teza e atyre që, pa treguar një objektiv konkret ushtarak, synojnë humbjen totale të agresorëve.

Është një linjë që ka gjetur rrugën e saj në nivelet e larta të Amerikës, me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin që ka teorizuar fillimisht nevojën për të dobësuar Rusinë si një trashëgimi të qëndrueshme të këtij konflikti.

Por, më pas, ai e telefonoi homologun e tij rus kur evropianët e bindën Presidentin Biden që t’i jepte një shans marrëveshjes.

Megjithatë, për të mishëruar vijën e ashpër, janë mbi të gjitha britanikët.

Ata që në këtë luftë po sublimojnë dëshirën e katërfishtë për t’u rikthyer në fuqinë globale, që konfirmojnë marrëdhëniet speciale me amerikanët, që demonstrojnë një status të pakrahasueshëm me atë të një Evrope të ndarë.

Dhe që japin një goditje fatale për armiqtë e përjetshëm të Moskës.

Nuk është rastësi që William Hague, ish-udhëheqësi i konservatorëve dhe ish-ministër i Jashtëm i Londrës, i dha formë linjës “pa lëshime”.

Ai, në “Times”, paralajmëron që nga titulli se “lëvizja e radhës e Putin-it” do të jetë “një armëpushim që ndan Perëndimin”.

Në javët e ardhshme, “kur forcat e tij të mbetura pothuajse të jenë shterur, ai do të deklarojë se ka fituar” dhe do të propozojë bisedime që “mund të vazhdojnë me vite, teksa Rusia ndërton një ushtri më të mirë, duke u ofruar një armëpushim ukrainasve”.

Territoret e pushtuara, ndërkohë, do të kërkojnë të “inkorporohen” nga Rusia, por Putin-it do t’i duhet kohë “për të rritur presionin ndaj ukrainasve që të ndalojnë luftimet”.

Udhëheqësi rus “natyrisht që do të sigurojë që këto bisedime të mos shkojnë askund”.

Qëllimi i tij “është të ndajë Perëndimin dhe të paraqesë një dilemë të tmerrshme për ukrainasit, duke pretenduar se kërkon paqe të përhershme, por duke e mbajtur këmbën në trakenë ekonomike të Ukrainës: hyrjen në Detin e Zi”.

E taksa bisedimet vazhdojnë me vite dhe Ukraina “do të mbetet një ekonomi e paralizuar, përfundimisht ajo do të thotë se “negociatat kanë dështuar dhe do të pushtojë përsëri për të përfunduar punën”.

Për të pasur sukses në një plan të tillë, Putin-it i duhen fitime reale territoriale. Ndryshe, të jetë në gjendje të thotë se ai ka çliruar Donbass-in dhe të kontrollojë Detin Azov dhe se Perëndimi “i bën presion Zelensky-t për të bërë lëshime”.

Këtu, Lord Hague ironizon rëndë evropianët, që sipas tij, mezi presin të përqafojnë Putin-in gati për paqe, një Putin që në fakt do të bëjë “telefonata të gjata dhe të arsyeshme në kryeqytetet e tyre”.

Teksa nuk do të ketë kuptim ta shqetësoni Londrën apo Varshavën, Presidenti Macron do ta dëgjojë atë për orë të tëra.

Mario Draghi, në Romë, do të bjerë dakord për urgjencën e një armëpushimi.

Ironia kthehet në sarkazëm për gjoja pavendosmërinë e Berlinit. “Kancelari Scholz mund të mos dijë çfarë të bëjë”.

Kështu, “me pak fat”, pushtuesi mund të “prodhojë një situatë në të cilën Perëndimi është i përçarë, ukrainasit ndihen të tradhtuar, BE-ja nuk i pranon kurrë dhe Kongresi i SHBA-ve ndalon financimin e tyre”.

Ka vetëm një mënyrë për të shmangur këtë skenar sipas Hagës: mos i besoni asgjë dhe mos i jepni asgjë, mos e merrni kurrë seriozisht Putin-in, mbani të gjitha sanksionet, mbështesni të gjitha kryengritjet në zonat e pushtuara.

Shkurtimisht: vazhdoni luftën pafundësisht, vazhdoni të mos tregoni objektiva realiste ose të paktën konkrete, me justifikimin se u takon vetëm ukrainasve t’i vendosin ato.

“Koha për t’u kthyer për të pirë vodka me Vladin e vjetër”

Për të kuptuar se kush është i interesuar në këtë skenar të dytë, ai priret drejt zbutjes.

Për këtë qasje për një qetësim të përkohshëm të marrë përmes lëshimeve shumë të rënda është e dobishme të lexohet Sylvie Kauffmann në “Financial Times”.

Gazetari kujton fjalët me të cilat, tre ditë para pushtimit, ish-presidenti Dmitry Medvedev, shoqëruesi 20-vjeçar i Putin-it, e siguroi udhëheqësin se reagimi perëndimor nuk do të ishte problem.

“Ne e dimë se çfarë do të ndodhë. Do të ketë presione dhe sanksione. Por pas një kohe, tensioni do të ulet. Herët a vonë, ata do të lodhen dhe do të na kërkojnë të rifillojmë diskutimet dhe bisedimet për të gjitha çështjet që garantojnë sigurinë strategjike. Le ta pranojmë, Rusia do të thotë shumë më tepër se Ukraina për miqtë tanë në SHBA dhe BE”.

Medvedev, deri tani, ka gabuar. Sepse Perëndimi ka treguar unitet të frikshëm, por pas tre muajsh ai unitet tregon çarje të pashmangshme.

Pse? Sepse ka një sërë pyetjesh që kanë mbetur pa përgjigje, një përgjigje që nuk duan ose nuk mund ta japin.

Kjo është: Çfarë do të thotë fitorja? A konsiston fitorja vetëm në shtyrjen e rusëve në pikën fillestare më 24 shkurt? Apo do të thotë kthim i territoreve të pushtuara që nga viti 2014, përkatësisht Krimesë dhe dy rajoneve të Donbas-it?

Nëse udhëheqja ukrainase vendos që forcat e saj të armatosura duhet të kryejnë një kundërsulm për të rimarrë të gjithë territorin, a do të vazhdojë Perëndimi ta ndihmojë atë?

Çfarë duhet të nxisë heqjen e sanksioneve?

Nëse fitorja e Ukrainës do të thotë humbje e Rusisë, sa e rëndë duhet të jetë humbja? Nëse kjo është një mosmarrëveshje midis dy rendeve botërore, njëri i bazuar në rregulla dhe tjetri në sferat e ndikimit, si mund të jetë një marrëveshje?

Pa një përgjigje për këto pyetje, “miqtë e Rusisë” të evokuar në fjalimin e Medvedev-it po rishfaqen.

Duke evokuar negociata të nxituara, të rreme, bazuar në supozimin se duhet të ndalojmë dërgimin e armëve për ukrainasit, duke i nxitur kështu ata në një dorëzim të hershëm dhe një paqe ndëshkuese.

Në Itali dallohen qartë “miqtë e Rusisë”: sipas rendit alfabetik, Berlusconi, Conte dhe Salvini.

Në Gjermani, ekziston një institucion i tërë, duke filluar nga aparati industrial e deri te sektorët e socialdemokracisë, i cili i frikësohet një rendi të ndryshëm nga ai në të cilin Gjermania ka lulëzuar në dekadat e fundit.

Dhe pastaj hungarezët, sllovakët.

Një qasje që nuk kërkon objektivin e ndërmjetëm, t’i japë fund luftës pa ia dhënë fitoren Putin-it. Një qasje që me të vërtetë i ofron atij “ura të arta” të pakonceptueshme pas mizorive me të cilat ka njollosur veten.

“Rruga afgane” për të dalë nga lufta

Më në fund, një mënyrë e tretë e besueshme.

Politologu Dominic Tierney e ofron atë në “Foreign Affairs”.

Studiuesi kujton dramën e 15 shkurtit 1989, kur “gjenerali sovjetik Boris Gromov kaloi Urën e Miqësisë nga Afganistani në Bashkimin Sovjetik, ku u përshëndet nga kamerat televizive sovjetike dhe mori një buqetë me karafila të kuq”.

Një dramë për të treguar se rusët po tërhiqeshin në mënyrë të rregullt te ushtari i fundit, një gjeneral, jo si amerikanët në Saigon.

Por më shumë se një shfaqje, “ishte një farsë, Gromov kishte kaluar një natë më parë në një hotel sovjetik dhe kishte shkuar në Afganistan vetëm për të organizuar daljen”.

Këtu, Putin-it duhet t’i jepet e njëjta gjë: jo ura të arta, por “një urë në formën e një kafazi”, duke e dobësuar regjimin e tij me kalimin e kohës.

“Rezultati mund të mos jetë fitorja totale e parashikuar: ushtarët ukrainas nuk do të jenë në gjendje të dëbojnë trupat ruse nga Donbass-i. Por do të jetë sërish një fitore thelbësore për Kiev-in”.

Le të shohim pse, duke u thelluar në paralelen afgane.

Në vitin 1988, Marrëveshja e Gjenevës i dha fund luftës duke dekretuar një tërheqje graduale sovjetike.

SHBA-të rezervuan të drejtën për të vazhduar armatosjen e rebelëve dhe regjimi kukull i futur nga rusët mbijetoi vetëm katër vite të tjera.

Në Washington, mbrojtësit e politikave agresive donin ta shihnin Moskën të bllokuar pafundësisht në Afganistan, kundërshtuan gjithashtu një marrëveshje fasade.

Por, në fund, u mundën nga negociativistët që ishin të gatshëm të ofronin lëshime simbolike për ta nxjerrë Moskën jashtë dhe që e dinin se lufta do të shihej gjerësisht si një dështim sovjetik.

Një dështim që të gjithë historianët e konsiderojnë si prelud të rënies së BRSS.

Sigurisht, ka dallime me Ukrainën e sotme, por edhe ngjashmëri të rëndësishme: një pushtues sklerotik dhe një rezistencë, çuditërisht efektive, e armatosur nga perëndimorët.

Kuptohet, do të na duhet të gjejmë një ekuilibër, një ekuilibër midis humbjes totale të rusëve dhe fitores thelbësore të tyre.

Bilanci do të kërkonte një Ukrainë që të heqë dorë nga objektivat e saj maksimale, si tërheqja ruse nga Krimea dhe i gjithë Donbas-i, riparime miliarda dollarësh drejtpërdrejt nga Moska dhe të ndjekë një objektiv shumë më strategjik.

“Nëse në fund, Ukraina do të dalë si një demokraci e qëndrueshme, e rindërtuar me miliarda dollarë fonde dhe asete ruse të ngrira jashtë vendit, atëherë do të jetë një dëshmi e gjallë e pamaturisë së Putin-it”.

Ukraina do të jetë një fener lirie dhe rezistenca e saj heroike mund të shkëpusë vendet e tjera nga aktet e agresionit.

Dhe kujtimi i një lufte të dështuar në Rusi mund të ngrejë dyshime për gjykimin e Kremlin-it, i cili, me kalimin e kohës, mund të minojë regjimin e Putin-it, ashtu si Afganistani kontribuoi në rënien e sistemit sovjetik.

Perëndimi, për këtë arsye, nuk ka nevojë ta “poshtërojë” Rusinë, siç thotë Macron. Nuk ka nevojë të kërkojë mposhtjen, që do të ishte shumë e shtrenjtë për të gjithë, përfshirë rrezikun bërthamor.

Nuk ka nevojë të poshtërohet Rusia, sepse Putin-i tashmë e ka bërë shumë mirë, dhe rusët e dinë, ose do ta kuptojnë:

“Putin-i kontrollon mediat dhe do të shpallë fitoren, pavarësisht se çfarë ndodh. Por rusët nuk mund të qëndrojnë të verbër ndaj kostove të pushtimit përgjithmonë dhe ngadalë do të kuptojnë se kanë humbur mijëra ushtarë pa asnjë avantazh të vërtetë. Ata do të ndiejnë dëmin e madh ekonomik të shkaktuar nga izolimi global dhe do të jenë të vetëdijshëm se lufta ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë drejt NATO-s”.

Çka është një rezultat strategjik shumë më domethënës se sa një Ukrainë e lënë jashtë.

Kjo rrugë e tretë është ajo e zgjedhur nga Macron dhe Draghi, të cilët për këtë arsye i kërkojnë Biden-it ta thërrasë Putin-in, por pa pushuar së armatosuri ukrainasit.

Është fjala për ndërtimin e “urë-kafazit” për pushtuesin. Një fitore thelbësore që do të bëhet gjithnjë e më e dukshme me kalimin e viteve.

 

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.


Lajmet kryesore