Opinione /

Toni Kuka është Kano Jigoro


Bordi Editorial

Sikur të jetonim në një epokë tjetër, ku transmetimi viziv nuk do ishte i mundur, tregimet për sukseset e xhudistëve nga Kosova do të thureshin në formën e Këngëve Kreshnike. Dikush, pakica, do t’i besonte. Të tjerë, shumica, do të mendonin se janë tregime mitologjike, të përshtatura për kohën dhe personazhet.

“Një vajzë nga Kosova, në një sport, të cilit numri më i madh i popullit s’ia di as rregullat, ka udhëtuar për në vendin ku ka lindur ky sport, i ka fituar të gjitha ndeshjet deri në finale dhe, në fund, ka mposhtur duke u bërë kampione një vajzë të po atij vendi, para tifozëve të vet dhe, këtë, e ka bërë lehtësisht”.

Sa i vërtetë mund të jetë ky tregim?

Është shumë i vërtetë. E kemi parë të gjithë sot kur Distria Krasniqi fitoi medalje të artë olimpike, pasi mposhti në Japoni, japonezen Tonaki Funa.

Por, kjo nuk po ndodh për herë të parë. Nuk është një pyetje një vajzë që është përjashtim nga rregulli.

Distria Krasniqi nuk është një “fluke”, një rastësi. Fitorja e saj nuk është as befasi, do ishte po të ndodhte e kundërta, po të humbiste.

Ajo është thjesht një tjetër talent e farkëtuar në sistemin e një njeriu çudibërës si Toni Kuka.

Është krejt e paperceptueshme dhe jashtë dimensioneve normale çfarë ka bërë ky njeri. Ku u mësua ai të prodhojë kështu kampionë? Rasti i trajnerit Toni Kuka është i pashembullt në botën e sportit.

Fanatikët mbase do të përmendnin trajner si Phil Jackson, që fitoi 11 tituj kampionë në NBA, apo Joe McCarthy dhe Casey Stengel, të dy me super suksese me New York Yankees. Mbase edhe të tjerë, si Alex Ferguson në futboll, Scotty Bowman, apo Viktor Tikhonov në hokej dhe arritjet e tyre të jashtëzakonshme si trajnerë, por prapë situata është e pakrahasueshme.

Të gjithë këta më lart e bën pasi jetonin në vende ku sportet respektive ishin traditë, ata bartnin një njohje paraprake dhe nxënësit e tyre kishin modele suksesi.

Prandaj Toni Kuka dhe suksesi i tij si trajner është i pakuptueshëm, aq sa është i mrekullueshëm.

Ai ka marrë shtetin/kombin e ri në shpatulla dhe bashkë me studentët e tij, po i rrëzon të gjitha argumentet: se nga Kosova nuk mundesh, se nuk bëhet, se jemi të vegjël, se jemi të rinj, se nuk na lënë, se nuk na duan.

Racionalja kërkon shpjegim për këto suksese, prandaj edhe ata që e njohin Kukën, edhe ata që punojnë me të ose ia përcjellin punën, tentojnë t’i shpjegojnë sukseset e tij dhe studentëve të tij, me atribute racionale. “Toni Kuka ka disiplinë të hekurt”, “Toni Kuka kërkon punë të madhe dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”, “Toni Kuka është fillimisht një talent i madh vetë dhe tash talentin e madh po ua bartë studentëve të tij”, “Toni Kuka është një njeri i mençur që di të përcjellë dije”.

Këto janë disa nga shpjegimet, por janë krejt të vogla për të kuptimsuar suksesin e madh. Edhe të tjerët nëpër botë kanë disiplinë, kanë talente, bartin dije, prandaj kjo s’përbën ndonjë diferencë.

Vetëm sa për perspektivë. Xhudo është një sport tejet i popullarizuar në botë. Vetëm në Francë, sipas të dhënave të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, janë mbi 500 mijë xhudistë. Anëtare të federatës janë 199 shtetet dhe, besojeni ose jo, janë mbi 50 milionë njerëz në botë që merren me xhudo profesionalisht.

Këta numra e bëjnë akoma më abstrakt Toni Kukën dhe gjithë suksesin e tij. Ai bëhet i krahasueshëm vetëm me Kano Jigoro, japonezin që njihet si themeluesi i këtij sporti marcial. Jigoro ishte atlet dhe mësues, njëjtë si Toni Kuka sot. Mbase ai është i vetmi që do të mund ta kuptonte dhe shpjegonte Toni Kukën.

Ne të tjerët s’mund ta kuptojmë. S’mund ta shpjegojmë. Mjaftohemi ta falënderojmë dhe ta duam.


Lajmet kryesore