Opinione / Editoriale

Storia e Klanit mund të jetë disi e rrejshme, por tregon një të vërtetë


Lirim Mehmetaj

Nuk ka nevojë për një kronikë televizive që të dëshmohet se shqiptarët në Kosovë përbëjnë një shoqëri raciste. Jo veç raciste, por edhe fashiste. Mua më befason më shumë fakti se racizmin, por edhe fashizmin më të madh, e gjej te “njerëzit e shkolluar”, tek “të arriturit” në karrierë.

Për shembull, sa herë diskutoj me dikë dhe debati fillon e anon nga unë, për shkak të tezave më të qëndrueshme, argumenti që del është “ti je katunar”.

Një nga tregimet personale më shokuese që kam, është nga ditët e mia të para në televizionin “Klan Kosova”.

Unë dhe një grup të rinjsh sapo ishim pranuar për punë praktike në “Klan”. Një nga ata, një ditë papritur erdhi dhe më tha që: “ti s’ka mundësi të jesh më i mirë se unë, sepse ti je katunar”.

Nuk e di pse, mbase dikush i kishte thënë që “Lirimi është më i mirë se ti”. Mendova se po bënte shaka.

Por, ai realisht ishte i shqetësuar dhe mendonte sesi ka mundësi që një person nga fshati të mund të ishte më i mirë se ai vetë, në çfarëdo, aq më tepër në gazetari. Nuk po bënte shaka, as nuk po e thoshte për shkak të momentit.

Tipi e kishte të ngulitur në mendje se, nëse je qytetar, ke diçka ndryshe gjenetikisht. Kishte bindjen se konstrukti i tij fiziologjik ishte në një nivel superior, në raport me dikë që ka lindur në fshat.

Nëna e sigurt që ishte mësuese, por më duket edhe babanë e kishte mësimdhënës. Ata vetë i kishin dhënë të drejtë në pretendimin e tij.

Po kjo nuk është më tragjikja.

Pasi fola me të, u binda se ishte i çmendur dhe e mora me të qeshur. Vazhdova të bëja pak shaka me të dhe, më pas, e lashë.

Më vonë, pashë një grup kolegësh gazetarë tek rrinin së bashku në terasë, aty ku pinim kafe e cigare.

U afrova me idenë për t’i bërë të qeshnin pak dhe u tregova çmendurinë që sapo kisha dëgjuar.

Për habinë time, pjesa më e madhe e grupit besonte se ai që unë “e diagnostikova” si të çmendur, në fakt kishte të drejtë.

Disa, ata më të butët në qëndrime, sillnin shembuj sesi, mbase, edhe fshatari, me shumë punë e sakrificë mund t’ia arrijë, por që e ka shumë më të vështirë se qytetari dhe që s’janë të barabartë kjo nuk ka diskutim.

Ata që më shumë këmbëngulnin në ekzistencën e dallimit biologjik ishin pikërisht ata që brenda Klani-it ishin seniorë dhe më të respektuar si persona.

Por, kishte edhe nga ata që, edhe pse e kuptonin se kjo ishte çmenduri, nuk bënin zë, derisa fillonin të argumentonin se mbase i çmenduri ka të drejtë.

Këta, megjithatë, tentonin ta mbronin me idenë se, në familje qytetare mundësia e shkollimit ka qenë gjithnjë më e madhe, kështu tashmë janë krijuar diferenca të pashlyeshme.

Nuk po u besoja veshëve se çfarë po dëgjoja!

Unë supozoja që nuk isha duke diskutuar me disa injorantë. Këta njerëz punojnë në televizion, janë ata që formësojnë mënyrën se si mendon e gjithë shoqëria. Janë elitarë në punën që bëjnë. Si është e mundur që e kanë bindje se, varësisht në cilin territor dhe në çfarë familje lind, dallon edhe kapaciteti yt intelektual?

Fillova një herë të argumentoja me shpjegime teorike se si s’ka kurrfarë diference mes njerëzve nga vendi se ku ke lindur.

Nuk kryente punë!

Duke kuptuar gjatë bisedës se ishin vetëm një grup idiotësh, thashë me veten “më mirë po ua zbardh situatën duke u dhënë raste konkrete”.

Më kujtohet që ua përmenda Ukshin Hotin dhe njerëz të tjerë, të cilët më vinin ndër mend të lindur në fshat.

Kundër argumenti i tyre ishte se “paj ka mundësi edhe ndonjë katunar të dal i mençur”. I dërrmuar nga çfarë po dëgjoja, e lashë bisedën.

U ndamë secili në punën e vet. Unë, krejtësisht i shtanguar nga çfarë kishte ndodhur, ata të lodhur nga biseda me fshatarin “e frustruar”.

Racistët dhe fashistët më të ashpër janë vetë ata që dikur janë bullizuar dhe janë diskriminuar për shkak të prejardhjes.

Ata që, për fatin e tyre të mirë, pas shumë përpjekjesh e sakrificash janë pranuar nga shoqëria snobe e Prishtinës, lumturohen aq shumë, saqë e shtrëngojnë fort statusin e ri prej “qytetari” dhe refuzojnë ta lëshojnë.

Ata tash bëhen shumë agresivë ndaj “katunarve”, sepse duan të jenë të vetmit që përjetojnë privilegjin e të qenurit të pranuar në rrethin e ri elitar.

Sot pashë plot nga kjo kategori, sesi ishin ndjerë “të tmerruar” nga storia që tregonte diskriminimin e disa fëmijëve të komuniteteve pakicë në Kosovë.

Shoqëria kosovare është raciste dhe fashiste në palcë! Kjo vështirë se do të ndryshojë edhe me kalimin e kohës, sepse nuk po punohet në këtë drejtim. Nuk ka kurrfarë përpjekje kolektive për të ndryshuar mendësinë, ka vetëm sakrifica individuale për të ndryshuar grupin – nga “katunarë kokëtrashë” në “qytetarë elitarë”.

Këta fashistë e racistë të poshtër bëhet edhe vështirë të luftohen, sepse qëndrimet e tyre idiote i kamuflojnë. Ata vjellin vrer ndaj katunarëve, ashkalive e komuniteteve të tjera vetëm në rrethe të sigurta, aty ku e shpalosin mendimin e tyre dhe nuk i sfidon kush.

Një ditë e pyeten Trevor Noahn, një komedian nga Afrika e Jugut, se ku dallon racizmi në Afrikën e Jugut nga ai në Amerikë dhe ku është më i vështirë të luftohet?

U përgjigj se, përkundër se shumë më i ashpër në Afrikën e Jugut, në Amerikë është shumë më vështirë i luftueshëm.

Argumenti i tij ishte se të paktën në Afrikën e Jugut, racizmi ishte sistem i rregulluar dhe të thuhej hapur se çfarë vendi të takon ty si i zi dhe çfarë të ndalohet. Prandaj, edhe luftën e kishe konkrete dhe me diçka të dukshme.

Në Amerikë, racizmi fshihet në semantikë dhe “rrethana objektive”. Prandaj, një herë duhet të dëshmosh se ka racizëm dhe, më pas, të tentosh ta luftosh.

Edhe në Kosovë është vështirë i luftueshëm, sepse racistët e fashistët këtu nuk janë aq trimosha sa të dalin ta bëjnë publike çmendurinë e tyre. Në publik të gjithë bëhen Nënë Tereza.

Kështu secili duhet të kthehet në dedektiv të dëshmimit të racizmit ndaj tij, sepse këta kanë aq mençuri saqë të kuptojnë se ekspozimin e racizmit duhet ta bëjnë taktikisht dhe jo publikisht.

Edhe kur të lexojnë këtë shkrim, shumë prej këtyre që e gjejnë veten në atë që kam shkruar, me shumë gjasë, do të thonë me vete “uhhh q..sha katunarin”.

P.s. Shkrimi s’ka të bëjë me “Klanin” si institucion, por me disa individë aty brenda dhe një histori timen personale. Vetë “Klan Kosova” si e tërë është institucion që nuk bart një politikë, as qëndrim të tillë. Me një fjalë është e mbushur me “katunarë” të jashtëzakonshëm si në profesion, si në qëndrime!


Lajmet kryesore