Skicë e kolapsit të republikës: pa kuvend, pa qeveri, pa president

Ky është skenari më i keq që mund të vijë si pasojë e bllokimit të institucioneve deri më 4 prill 2026. Vetëm vullneti politik për kompromis e shmang kolapsin, por për këtë duhet zhdukur fjalia “Kosova ka qeveri, por s’ka parlament”
Burim Ramadani
Loading Icons...
test12

Skicë e kolapsit të republikës: pa kuvend, pa qeveri, pa president

Burim Ramadani
Loading Icons...

Kolapsimi i Kosovës është rreziku që na pret nga 4 prilli 2026. Po e rrezikojnë këta me mendësinë e etabluar si “o unë të mbetem në pushtet, o askush tjetër”. Këta që gati në secilën ditë – me qëllim që duket të jetë i planifikuar – na thonë: “Kosova ka qeveri, por s’ka parlament”.

Çka ndodh nëse deri në prill 2026 nuk konstituohet Kuvendi?

Kriza më e thellë e parë ndonjëherë, me shumë të panjohura rreth mundësive për të dalë nga ajo. Në të vërtetë, kolaps.
Si mund ta arrijnë këtë? Qartësisht, duke mbajtur të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pra, duke mos zgjedhur Kryetarin e Kuvendit deri më 4 prill 2026. Atëherë, Kosova nuk ka asnjë institucion që mund të marrë vendime, madje as për të tejkaluar bllokadën. Si pasojë, vendi praktikisht kolapson.

Më 4 prill 2026, Presidentja aktuale përfundon mandatin, pasi është betuar më 4 prill 2021. Pra, kjo është e pandryshueshme.
Sipas skenarit më të keq, kjo është rrjedha:

  1. Kuvendi i Kosovës është ende i bllokuar, sepse partia që e ka për obligim të bëjë shumicën parlamentare nuk ka dashur dhe/ose nuk ka arritur ta bëjë këtë.
  2. Rrjedhimisht, nuk ka Ushtrues të Detyrës së Presidentit, sepse as Kryetari dhe as nënkryetarët e Kuvendit nuk janë zgjedhur.
  3. Kuvendi i pakonstituuar nuk mund të miratojë buxhetin për vitin 2026 dhe, sipas legjislacionit në fuqi, dy herë nga 1/12-ta e Buxhetit 2025 është tejkaluar.
  4. Punonjësit e shtetit, pra shërbyesit civilë e profesionalë, nuk mund të marrin pagat e veta, sepse – siç është qartësuar nga Gjykata Supreme – deputetët që po dalin edhe më tutje në zyrat e ministrave nuk mund të marrin vendime të reja ekzekutive.
  5. Një numër i madh i institucioneve dhe agjencive që udhëhiqen edhe tash nga të emëruar si Ushtrues Detyre do të kolapsojnë në vendimmarrje, sepse është qartësisht antiligjore cilido vendim që marrin pasi të kenë kaluar 6 muaj si U.D.
  6. Asnjë pagesë për punët në mirëmbajtje apo investime kapitale nuk mund të bëhet, sepse kjo tejkalon kompetencat ligjore të atyre që do të duhej të bënin pagesat.

Pra, nuk ka asnjë autoritet – përfshirë këtu “Qeverinë në Detyrë” – që mund të marrë vendime të reja.
Ekziston një keqkuptim i përgjithshëm në opinionin publik (madje në nivele të larta të përgjegjësisë) se në raste të tilla, kompetencat për udhëheqjen e shtetit përkohësisht i barten Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ky është vetëm një keqkuptim elementar, sepse askund, bash askund në Kushtetutë e në ligje të Kosovës, kjo nuk është e paraparë. Rrjedhimisht, nuk ka asnjë mundësi të ndodhë. Ka shtete të ndryshme nëpër botë që e parashohin një mundësi të tillë, por kjo nuk është Kosova.

Askush nuk mund t’i shpallë zgjedhjet parlamentare

Në një skenar të tillë, kur Kuvendi nuk konstituohet deri më 4 prill 2026, pra nuk ka as Kryetar dhe as Nënkryetarë të Kuvendit dhe Presidentes aktuale i mbaron mandati, Kosova nuk mund as t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sepse nuk ekziston një autoritet kushtetues që ka kompetencë të drejtpërdrejtë për të shpallur zgjedhjet. Këtë kompetencë me Kushtetutë e ka vetëm Presidenti i Kosovës dhe, në mungesë të tij/saj, këtë e ka U.D. Presidenti. Por kur nuk ka as U.D. President, kjo paraqet vakuum të thellë kushtetues e institucional.
Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon qartësisht se si mund të zgjidhet situata e bllokimit institucional në rast të mungesës së të gjitha këtyre funksioneve njëkohësisht. Në një situatë të tillë, nuk ka asnjë autoritet kushtetues të autorizuar për të shpallur zgjedhjet dhe kjo nënkupton mosfunksionim total të të gjitha institucioneve shtetërore.

Sërish, kompromis politik: për kuvend dhe për qeveri që harton buxhetin

Në një skenar të tillë, e vetmja formë normale – nëse mund të quhet kështu pas kolapsit, qoftë edhe vetëm njëditor – është kompromisi politik midis partive politike.
Nëse këtë e përkthejmë në termat e zhvillimeve të sotme politike, sërish e vetmja formë për të tejkaluar kolapsin është arritja e shumicës prej 61 deputetëve që votojnë për Kryetar Kuvendi, i cili po atë ditë do të bëhej edhe U.D. i Presidentit. Në bindjen time, kjo do të thoshte të ndërrohet emri i kandidatit dhe të propozohet dikush që merr këtë shumicë parlamentare. Pra, diçka që është dashur të ndodhë tash e rreth katër muaj.
Por pas një kolapsi që rrezikohet (qoftë edhe njëditor), më nuk bëhet fjalë vetëm për kompromis që Kuvendi të konstituohet dhe menjëherë të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Jo.
Një qeveri e shpejtë do të ishte obligim për Kuvendin e “pas-kolapsit”. Sepse, shteti në prill 2026 është pa buxhet. Dhe, një projektbuxhet mund ta përgatisë dhe paraqesë vetëm qeveria, jo kuvendi. Ligji për Buxhetin nuk është sikurse iniciativat e tjera ligjore që mund të ndërmarrin deputetët.
Dhe, pastaj, detyra e parë e kuvendit do të ishte të zgjedhë shpejt e shpejt një qeveri që do të ishte në gjendje të propozonte menjëherë një buxhet për muajt e mbetur të vitit 2026.

“Kosova ka qeveri, por s’ka parlament” është formula për kolapsimin e Kosovës

Përfundimisht, ky shkrim është skenari më i errët që mund t’i ndodhë Kosovës. Formula që çon në këtë kolaps është fjalia (që po më duket se nuk është e paplanifikuar) “Kosova ka qeveri, por s’ka parlament”.
Ky alarmim edhe mund të jetë i parakohshëm. Por, fatkeqësisht, këta të mendësisë uzurpuese “o ne të mbetemi në pushtet, o askush tjetër” nuk lënë fort hapësirë për të menduar për skenarët pozitivë e zhvillimorë.

 

Sqarim

Titulli origjinal i shkrimit ka qenë: “Alarm i hershëm: Nëse vazhdohet njëjtë, Kosova kolapson më 4 prill 2026”.