Opinione / Editoriale

Sikur të mos shkruante statusin Edi Rama


Albanian Post

Kryeministri shqiptar Edi Rama nëpërmjet një cicërime mbremjen e sotme del me një protestë zyrtare kundër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres pas një deklarate të vetë Sekretarit të Përgjithsëm në lidhje me marrëveshjen e fundit duke e cilësuar atë si marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Beogradi dhe Prishtina?! Një gabim serioz apo një lapsus? Emri zyrtar i saj është ‘Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’ dhe do të ishte e papranueshme nëse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nuk do ta përdorte këtë emër të duhur qëllimisht”, thotë Rama.

“Ju lutem sqarojeni sa më shpejt” bën apel kryeministri shqiptar në përfundim të protestës.

Ky shënim protestë në Twitter është një ngjarje e rëndësishme në dinamikën diplomatike ndërkombëtare duke qenë se kryeministri i një vendi anëtar të Këshillit të Sigurimit kritikon publikisht Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe e fton atë të korrigjojë deklaratën e vet.

Sipas burimeve të AP, disa shtete perëndimore, të angazhuara thellë në procesin e marrëveshjes së fundit, janë shqetësuar me mungesën e kujdesit nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm.

Ky lapsus nga ana e Sekretarit Guterres mund të përdoret nga Serbia për ta penguar rrugëtimin e Kosovës drejt OKB-sē, që është brenda frymës së nenit 4.

Pas thirrjes së ashpër të Ramës për Guterres qëndron shqetësimi i thellë që një Deklaratë e tillë e Sekretarit të OKB-së mund të minimizojë rëndësinë reale të marrëveshjes së arritur mes dy liderëve të Ballkanit, e cila në fakt ka vlera historike për momentin në të cilin zhvillohet dhe duke qenë se pas dekadash kërkohet zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Nuk është aspak e habitshme që deklarata e Guterrez të ketë shqetësuar edhe qarqet diplomatike të Evropës dhe SHBA-ve, aktorët kryesorë dhe tejet të interesuar për evolucionin pozitiv të marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Rusia nuk guxon të diktojë fuqinë e saj me deskun e Kosovës brenda OKB-së.

Dhe përmes deskut të Kososvës të ndërtojë një deklaratë që shkon në zyrën e sekretarit të Përgjithshëm, i cili nuk ka kuptuar që rezultati i negocimit ka sjellë një tjetër emertim në procesin e dialogut.

Nga Prishtinë-Beograd në Kosovë-Serbi.

Mungesa e sensit diplomatik të zyrës së Kosovës në New York, që as hapin e vetëm s’ka bërë qe të trokas në zyrat e Kombeve të Bashkuara, të lë pa fjalë.

Blerim Reka si zyrtar i lartë diplomatik nuk është atje për ekskursion. Është për të treguar arsyen se pse është atje dhe cila është puna e tij.

Nëse konsideron Kosovën vendin e tij.

Po sikur të mos kishte reaguar Rama?


Lajmet kryesore