Opinione / Politikë

Shqipëria që Duam, përtej sloganit


Ervin Demo

Ditën e mërkurë në Berat u përkujtua në Muzeun ‘’Solomon’’, “Dita Ndërkombëtare e Kujtesës”, ku u prezantuan dëshmitë e disa familjeve të cilat kishin strehuar hebrenj në ditët më të errëta të Evropës.

Kjo kujtesë është një dëshmi e fortë që Evropën dhe vlerat evropiane i kemi të përbrendësuara – janë në ADN’në tonë si komb.

Shqipëria jonë ka pasur një rrugëtim jo të thjeshtë këto 30 vjet, dhe sot është duke u ballafaquar me ndryshimet socio-ekonomike, gjeostrategjike, kulturore dhe politike të cilat ndikohen shpesh nga të panjohura që sjell zhvillimi i shpejtë teknologjik.

Kjo bën që edhe në të ardhmen e afërt, sfidat të jenë të shumta dhe rrugëtimi aspak i lehtë.

Shqipëria që Duam është një Shqipëri e cila zhvillimin e vet e shikon të pashkëputshëm me shijen estetike dhe arrin të ofrojë ashtu siç i ka hije trashëgiminë e vet kulturore.

Një vend që zhvillimin e vet e shikon të lidhur me natyrën, ku diversiteti që kemi nga deti në mal, të jetë një aset që nuk na shërben për një boom momental ekonomik, por që na garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik; një vend ku xhevahiret e veta të pluhurosura apo të pazbuluara, na bëjnë të gjithëve krenarë dhe forcojnë ekonominë lokale.

Një vend ku zhvillimi i bujqësisë shkon dorë më dorë me zhvillimin e turizmit; një vend që mbi të gjitha siguron një sistem arsimor të shëndetshëm, bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës për të garantuar burimet e duhura njerëzore për sfidat e zhvillimit;

Një vend ku shoqëria ndërgjegjësohet për të mirën e përbashkët e përkatësinë në komunitet dhe çdo shqiptar përmbush çdo përgjegjësi të veten dhe kërkon fort çdo të drejtë që i takon.

Gjatë viteve të fundit ka pasur zhvillime në kahun e duhur, por shumë kemi për të bërë të gjithë bashkë si shoqëri për të pasur një Shqipëri të zhvilluar, të pastër, të bukur dhe një gjeneratë e cila të ardhmen e sheh me optimizëm e gatishmëri për t’u përballur me çdo sfidë.


Lajmet kryesore