Opinione / Politikë

Shkëlqimi dhe rënia e Suu Kyi? Dosje e nxehtë për Blinken-in


Në Mianmar (ose Birmania akoma për shumë), ushtria duket se realizoi qëllimin dhe dëshirën e saj të një kohe të gjatë. Ndoshta që prej 2015, kur u formua qeveria e parë demokratike.

Një grusht shteti ushtarak ka ndodhur të hënën. Janë mbajtur nën arrest disa nga udhëheqësit e vendit, përfshirë edhe presidenten de facto, Aung San Suu Kyi.

Midis të arrestuarve janë udhëheqësit rajonalë, artistë dhe ish-udhëheqësit e të rinjve që u ngritën kundër ushtrisë në 2015.

Në një deklaratë zyrtare ushtria deklaroi një gjendje të jashtëzakonshme njëvjeçare, mbarëkombëtare dhe konfirmoi se pushteti i ishte dorëzuar komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura, Gjeneralit të Lartë, Min Aung Hlaing.

Akuza që formalisht bëhet nga ushtarakët është “mashtrim” në zgjedhjet e 8 nëntorit të 2020. Pas zgjedhjeve të 2020, të cilat nuk kaluan pa polemikë, frika e një grushti nga ana e ushtrisë ka qenë konstante. Mardhëniet e ushtrisë me qeverinë kanë qenë problematike që nga viti 2011, kur  filluan reformat  e para demokratike.

Në vitin 2015, Mianmar formoi qeverinë e saj të parë civile kur partia e Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD), e opozitës së Suu Kyi, fitoi zgjedhjet me një përqindje të lartë.  Moment historik jo vetëm për Mianmar-in, por edhe një fitore për bllokun perëndimor që largoi Mianmar-in nga influenza e Kinës.

Nga ai moment, Suu Kyi do të jetë presidente de facto. Një dispozite kushtetuese i parandalon, Aung San Suu Kyi të bëhet presidente, sepse ishte e martuar me një të huaj, me akademikun britanik Michael Aris.

Një nga akordet e tranzicionit të 2011, për një qeverisje të përbashkët civile dhe ushtarake, lejon që në fuqi të mbetet Kushtetuta e 2008, e hartuar nga ish-regjimi ushtarak. Sipas asaj kushtetute i jepet ushtrisë  ¼ e vendeve në parlament. Gjithnjë sipas kushtetutës, komandanti i përgjithshëm ka kompetenca të jashtëzakonshme për të mbivendosur rolin e presidentit, ndërsa kontrollon ministritë e mbrojtjes, kufirin dhe punët e brendshme.

Në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit të kaluar, partia e NLD-së dhe Suu Kyi, fituan 83%  të votave; mjaftueshëm për të formuar një qeveri. Rezultati u kundërshtua nga ushtria, e cila akuzoi për manipulim votash dhe kërkoi të rishqyrtohen 10 miljonë raste dhe listat e zgjedhjeve, nga një komision i posaçëm.

Edhe pse nuk pati asnjë lloj reagimi që të konfirmonte manipulimin e votave nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet u kritikuan për heqjen e të drejtave të votimit të pakicave etnike të Mianmarit.

Pothuajse të gjithë Rohingya-t nuk u lejuan të votojnë dhe votimi u anulua në rajonin e Rakhin-ës. Rohingya-t janë një grup etnik indo-arian, të cilët nuk kanë një shtet, janë kryesisht myslimanë dhe banojnë në shtetin Rakhine të Mianmar-it. Ata janë gati 4% e popullsisë së vendit.

Megjithëse Mianmar është më i varfri nga vendet e Azisë Juglindore, rëndësia e tij strategjike është e qartë: ka naftë, diamante, lëndë drusore dhe burime të tjera natyrore. Ndodhet në kufirin midis një demokracie si India dhe Kina. Kryqëzohet nga projekte të Nismës së Rripave dhe Rrugëve me të cilat lideri kinez, Xi Jinping, promovon ekspansionizmin ekonomik dhe gjeopolitik të Kinës.

Ky është grusht shteti i parë i ushtrisë kundër një qeverie civile që nga viti 1962. Dhe erdhi veç një javë përpara se ligjvënësit të zinin vendet e tyre në parlament. Gjenerali, Min Aung Hlaing, mendoi se do të kishte patur mundësi të fitonte atë vend në mënyrë legjitime nëpërmjet një maxhorance në parlament.

Iluzion i ushqyer nga qëndrimi i vetë Suu Kyi-së gjatë pastrimit etnik dhe dëbimit që ju bë popullsisë rohingay nga ushtria ne vitin 2017. Kur rreth 900 mijë rohingya kaluan në Bangladesh për të shpëtuar jetën, Suu Kyi mbrojti publikisht mizoritë kundrejt tyre.

Ajo mbrojti me forcë ushtrinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur Gambia ngriti një çështje që akuzonte Mianmarin për gjenocid.

Llogaria mund të ketë qenë e gabuar nga të dyja palët:  gjenerali mund të ketë menduar të fitonte më shumë fuqi në zgjedhje, dhe Suu Kyi nga ana e saj, mund të ketë llogaritur që favoret që i bëri ushtrisë do të shpërbleheshin një ditë.

Ndaj duket qartë, se një nga arsyet e këtij grushti shteti të ketë qenë shqetësimi i ushtarakëve, që fitorja e zgjedhjeve nga NLD, në 2020, do të sillte ndryshim të kushtetutës. Si rrjedhojë zvogëlimin e pushtetit të ushtarakëve në parlament.

Lidera ndërkombëtarë kanë dënuar grushtin e shtetit ne Mianmar në mbështetje të demokracisë. Grushti i ri i shtetit është edhe më shqetësues sepse përkon me një ringjallje të përplasjeve kufitare midis ushtarëve kinezë dhe indiane.

Koha do të tregojë cilat do jenë zhvillimet e mëtejshme, por e sigurt është që dosja tashmë në tavolinën e Blinken-it do të jetë ndoshta prova e parë në mardhëniet me Kinën.


Lajmet kryesore