Opinione / Editoriale

Pse Humbi Albin Kurti?


Baton Haxhiu

Tregimi ndër shqiptarë se çdo çudi zgjat jo më shumë se tri ditë dhe pastaj kalohet në një tjetër ngjarje çuditëse, për ta harruar atë të para tri ditëve, duke dashur kështu të shpjegohet mbamendja kohëshkurtër, mund të mos jetë aq i vërtetë sa e ka edhe famën.

Në Kosovë, qytetarët kanë treguar se mbajnë mend pak më shumë e pak më gjatë se veç tri ditë. Zgjedhjet e fundit tregojnë se memoria e tyre punoi fort kur u afruan pranë kutive të votimit.

Historia, tashmë mbi 20-vjeçare e demokracisë kosovare, nuk kujton një tjetër rast kur një parti përgjysmohet në vetëm gjashtë muaj dhe dorëzon elektoratin për mbi 50 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje, nga 50.28% më 14 shkurt, ka rënë në 25.7% më 17 tetor. Nga 438 mijë e 335 vota më 14 shkurt, ka rënë në 205 mijë e 804 vota.

Si mund të humbasësh afro 250 mijë vota brenda gjashtë muajsh?

Arsyet janë të shumta, por adresa shpjeguese është një – Albin Kurti.

Studimet tregojnë se partitë populiste, siç është Lëvizja Vetëvendosje, kur vijnë në pushtet ndryshojnë shumë. Ato i largohen radikalitetit të opozitës dhe moderohen brenda strukturës shtetërore. Por, ndryshimi i Lëvizjes Vetëvendosje në kaq pak kohë nuk është moderim, është tjetërsim.

Disa video të publikuara të Albin Kurtit në vitin 2011 e 2016, kur fliste për aksionet e policisë në Veri si opozitar, dhe ato çfarë thoshte tani, mund të kenë çuditur edhe besimtarët më të mëdhenj të tij.

Derisa në vitin 2011 tregonte në Parlamentin e Kosovës se si dorëzimi i kufirit nën përkujdesjen e KFOR-it ishte heqje dorë nga pavarësia, në vitin 2021 ai kërkoi negocim në Bruksel që kufiri t’i dorëzohet KFOR-it.

Derisa në vitin 2011 vetënegocimin për Veriun e konsideronte dorëzim, në vitin 2021 ai doli në konferencë duke treguar se si ata donin negociata në Bruksel, por po refuzonte Serbia.

Situata e fundit në Veri, e shkaktuar nga vetë Kurti, për hesapet e veta, e tregoi atë ashtu siç nuk e kishin menduar, sidomos mbështetësit. Ai mbase befasoi edhe veten me situatën e sikletshme në të cilën u gjend.

Një përshkrim i figurës së tij në dy konferenca të rralla për Veriun, shpalosin atë që disa njerëz të afërt të tij, privatisht, e thoshin. Kurti u frikësua dhe frika e tij reflektoi. Atë e tradhtoi qëndrimi dhe mimika, derisa vetë tradhtoi qëndrimet e dikurshme. “Shko në Bruksel dhe prano ç’të japin”, i kishte thënë Kurti Besnik Bislimit.

Një studimi më të përgjithshëm për të arritur në një përfundim më konkret do t’i nevojitet kohë më shumë, por rezultati i mbrëmshëm ofron hapësirë edhe vetëm një ditë prapa, për të dhënë disa nga arsyet e rrëzimit të Vetëvendosjes në këtë 17 tetor:

 

  1. Populli i Kosovës, më 14 shkurt në zgjedhje të përgjithshme, bëri një prerje radikale me tri partitë që udhëhiqnin Kosovën për 20 vjet. Albini pati mundësinë e rrallë të shpaloste një plan konkret për sfidat, të cilat e prisnin Kosovën në muajt e vitet në vijim. Një qeveri, e udhëhequr nga VV dhe Albin Kurti, nuk diti dot t’i adresonte ato, dhe nuk bëri asgjë.

 

  1. Asnjë plan konkret për dialogun, asnjë plan konkret për Veriun e Kosovës, asnjë plan konkret për bashkimin kombëtar, ideal ky mbi bazën e të cilit u themelua dhe u rrit VV. Asnjë plan konkret për çkapjen e shtetit, i cili ka qenë slogani kryesor i VV gjatë gjithë kohës sa ka qenë në opozitë dhe, në emër të të cilës, ka udhëhequr protesta të dhunshme në mënyrë të vazhdueshme dhe ka orkestruar një fushatë të tërë të lincimit publik.

 

  1. Albin Kurti, i cili nuk ka pranuar asnjë simbol të shtetësisë së Kosovës deri në këtë moment brenda institucioneve, lë për të nënkuptuar se të njëjtat do t’i pranojë vetëm pas marrjes së detyrës së tij si kryeministër i vendit.

 

  1. Në zgjedhjet e kaluara, faktor i rëndësishëm ishte edhe Vjosa Osmani. Ajo formoi një listë zgjedhore pak para zgjedhjeve, mori votat që deshi dhe, më pas, u zhduk në rolin e parëndësishëm të presidentes. Disa video të fundit tregonin sesi strukturat e sapoformuara të Listës Guxo, menjëherë pas zgjedhjeve kishin thirrur Osmanin e deputetët e tjerë për t’i uruar, por askush nuk ua kishte hapur telefonin.

 

  1. Në politikën e jashtme, krejt çka është arritur, janë gabimet e ministres Donika Gërvalla në statuset e saj të çoroditur. Për 20 vjet, kritika se si Kosova nuk di të bëjë politikë të jashtme dhe, më pas, u lihet në dorë i gjithë përfaqësimi i Kosovës dy njerëzve: Bisnik Bislimit dhe Donika Gërvallës.

 

  1. Ndërsa në anën tjetër, Albin Kurti pranon simbolet, rrezikon sigurinë e qytetarëve me intervenime në kohë fushate. Kthen frikën e luftës në Kosovë ku plagët janë të freskëta. Ktheu fuqinë e Serbisë në arenën ndërkombëtare dhe rrezikoi shtetësinë e Kosovës, me kushtin që ai të jetë kryeministri i saj.

 

  1. Mobilizimi i forcave ushtarake serbe, rritja e gjendjes së gatishmërisë në nivel luftarak, lëvizja drejt kufirit me Kosovën dhe pozicionimi i trupave ushtarake serbe në afërsi të kufirit, futja në përdorim e aviacionit luftarak serb si paralajmërim, janë gjëra që vetëm një javë më parë pakkush do t’i imagjinonte, lëre më t’i besonte! Dhe, sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, Ambasadori Botsan Hartchenko, njeriu i afërt i Putinit në Beograd, përkrah ministrit serb të Mbrojtjes, vizitoi trupat luftarake serbe të pozicionuara afër kufirit me Kosovën. Mesazhi i vizitës së tij nuk kishte nevojë për përkthyes! Situatë kjo e krijuar nga Kurti, me të drejtë sepse respektonte një afat, por më pas zmbrapsje totale dhe urgjencë për rikthim në dialog. Në dialogun që aq shumë e kritikonte.

 

  1. Instaloi frikën në Mitrovicë e Kosovë dhe ktheu imazhet e luftës, duke ofruar trupa serbe në kufi. Vendosi kriteret e intervenimit të panevojshëm, duke i dhënë arsye Serbisë ta pushtojë Veriun me lehtësinë e padurueshme.

 

  1. Poshtëroi njësitet speciale të Kosovës duke i tërhequr nga Veriu, duke i shndërruar ato në polici të zakonshme dhe duke ua humbur fuqinë. Kjo ishte, dhe u pa hapur, fuqia e pafuqishme e Albin Kurtit! Dhe, njolloi si politikanët e së kaluarës së para luftës, njëri në veçanti, çështjen e Veriut dhe serbëve të Kosovës e shndërroi nga një çështje politike, në çështje të luftës kundër krimit në Veri.

 

  1. Krejt çka kishte premtuar për 12 vjet se: a) nuk do të bisedonte me Serbinë dhe Vuçiçin; b) nuk do të merrte pjesë në dialog; c) do ta merrte Veriun pa kushte; ç) nuk do të bisedonte për asociacionin dhe korrigjimin; d) do ta ofronte Kosovën me Shqipërinë; e) do të ruante marrëdhëniet me Amerikën dhe ë) nuk do të hynte në konflikt me Serbinë dhe nuk do t’i jepte shkas për të hyrë me forcë në Kosovë, ai bëri të kundërtën.

 

  1. Albini ka rrezikuar me dashje, dhe vetëm për zgjedhje lokale dhe për votën e tij, sigurinë e qytetarëve të Mitrovicës dhe Kosovës me dy intervenime me njësinë speciale. Ai ktheu frikën e luftës dhe krejt çka Kosova kishte arritur në arenën ndërkombëtare për 20 vite i humbi për më pak se gjashtë muaj.

Nëse politikanët e pushtetit në Kosovë gabuan për 20 vjet, ardhja në pushtet e Kurtit tregoi se ai nga opozita mashtroi për 20 vjet. Dha një opsion politik, i cili nuk ekzistonte. Me narracione abstrakte krijoi një iluzion te populli se gjithçka është e thjeshtë, situata nuk është e komplikuar dhe ata po humbasin parajsën se nuk po e zgjedhin atë për t’i qeverisur.

Kurti nuk doli për t’i komentuar rezultatet zgjedhore si lider partie, por për më tepër nuk ka dalë as ta komentojë procesin zgjedhor, meqë i takon si kryeministër.

Por, ky duhet të jetë politikani Kurti. Pushteti e ka veshur me fuqi, por e ka zhveshur nga miti që kishte krijuar për veten. Me të përfundon edhe epoka e politikanëve në Kosovë, që duan pushtet për të ardhmen, duke u thirrur në të kaluarën.

Nga 17 tetori, jo më. E kaluara nuk shërben. Madje, e kundërta. Duke ia nxjerrë kontradiktat, e kaluara e tij e ka ndëshkuar Kurtin, duke ia rrënuar rrëfimin për profetin politik.


Lajmet kryesore