Opinione / Ekonomi

‘Plehrat’ dhe zgjedhjet


Gjergji Koja

Ka ca kohë që ka zhurmuar një debat i fortë mbi atë që rendom quhet “djegie e plehrave” në Shqipëri.

Në fakt, nuk janë plehra, por mbetje, që shqiptarët, ashtu si çdo popull tjetër në planet, krijojnë çdo ditë të jetës së tyre dhe që mund të jenë të ngurta, të rrezikshme, apo inerte (vetë Tirana krijon rreth 850 ton mbetje në ditë).

Dhe nuk bëhet më fjalë për djegie siç ndodhte deri para afro dy vitesh në Sharrë apo Porto Romano, por për incenerim me teknologjinë që aplikohet sot edhe në vendet e BE-së.

Tani, problemi nuk qëndron tek degradimi tekniko financiar i debatit, se sa euro për ton kushton asgjesimi i mbetjeve, apo se sa inceneratorë duhen ndërtuar në vend (në Sharrë është ndërtuar park i madh, meqë ra fjala), sepse këto çështje mund të hetohen, të konsultohen dhe të standartizohen nga aktorë publikë dhe institucione e mekanizma shtetërore kompetente.

Pamje nga ndërtimi i Landfillit të Sharrës

Problemi qëndron se ky debat ka frymezim të tmerrshëm politik, ku:

Maxhoranca që qeveris po aplikon incenerimin dhe riciklimin e mbetjeve me teknologjinë e sjellë nga vendet e BE-së dhe sipas praktikave atje, duke zhdukur në pak kohë malet me plehra të krijuara ndër vite, që digjeshin mizorisht në Sharrë, Porto Romano, etj.

Më parë plehrat në Sharrë grumbulloheshin dhe digjeshin, duke shkaktuar ndotje mjedisore

Ndërsa opozita ka sulmuar egër qeverinë për këto praktika. Por opozita, kurrë, në asnje vend dhe në asnje rast nuk shprehet se cila do të jetë strategjia e saj anti mbetje, nëse vjen në pushtet. Por ajo është e detyruar t’u japë përgjigje pyetjeve:

1) A është ajo në favor të landfillimit (kapsulimit) nën tokë të mbetjeve?

2) A është ajo në favor të incenerimit dhe riciklimit të mbetjeve siç edhe po ngjet, dhe nëse jo, pse??

3) Do të vazhdojë ajo të promovojë si politika integruese, mjedisore, evropiane fatkeqët që zhyten me kokë në kazanet e plehrave për të mbledhur kanocet si deri tani?

E pra, ” plehrat” nuk mund të mbeten peng i zgjedhjeve, pavarësisht kur mbahen dhe pavaresisht kush i fiton!

Asgjesimi i tyre është çështje me rëndësi kombëtare përsa i përket shëndetit publik të popullatës, prandaj opozita është e detyruar t’u përgjigjet pyetjeve të mësipërme nëse mendon se do të qeverisë vendin një ditë.

Nëse opozitës i shijon vetëm pozita e tanishme, kjo është tjetër gjë….

Ndërkohë, dikush duhet t’i thote opozitës se:

– Sipërfaqja e tokës akoma në dispozicion për landfille sa vjen e zvogelohet, dhe se

– Sipas direktivave të BE-së, jo më shume se 10% e mbetjeve duhet të landfillohet!


Lajmet kryesore