Opinione / Politikë

Plani energjetik i Evropës: a mjafton për të kaluar dimrin?


Sam Fleming & Leila Abboud

Javën e kaluar, Emmanuel Macron kishte një mesazh të thjeshtë për bizneset franceze që përgatiten të nënshkruajnë kontrata të kushtueshme energjetike.

Ky mesazh ka qenë: Mos e bëni.

Presidenti francez ka thënë se kompanitë duhet të refuzojnë “çmimet e çmendura” që ofrohen aktualisht, duke këmbëngulur se qeveritë evropiane do të kenë sukses që t’i bëjnë tregjet të funksionojnë përsëri dhe t’i kthejnë kostot në nivele të arsyeshme.

Shefi i një kompanie të vogël ndërtimi në Francën veriore, Aymeric Le Jemtel, ka treguar se e ka të vështirë ta ndajë besimin e Macron-it.

Furnizuesit e tullave ku kompanitë në të gjithë Evropën mbështeten, kanë rritur çmimet për të kompensuar koston e lartë të gazit natyror që përdorin për të fuqizuar furrat.

Madje, disa kanë anuluar porositë që janë bërë jofitimprurëse.

“Është me të vërtetë e vështirë për t’u përballuar pasi ne kemi shumë pak dukshmëri për çmimet. Nuk duam të mbyllemi këtë dimër, por unë jam duke u shqetësuar”, ka thënë Le Jemtel.

Tani që temperaturat po bien, ministrat evropianë të Energjisë do të mblidhen për të diskutuar një paketë të taksave kombëtare në mbarë BE-në që synon rritjen e fondeve për të ulur çmimet që do të paguhen nga familjet dhe bizneset.

Teksa kryeqytetet e BE-së mund të tregojnë disa suksese në përpjekjet për të hequr BE-në nga gazi rus në muajt e fundit, një numër në rritje kryeqytetesh paralajmërojnë se propozimet e fundit thjesht nuk shkojnë aq larg sa duhet.

Afro 15 vende anëtare i kanë shkruar komisionerit të BE-së për energjinë, Kadri Simson, duke kërkuar një tavan në të gjithë BE-në për çmimet e shitjes me shumicë të gazit, teksa bizneset shtrëngohen nën peshën e kostove që mbeten rreth pesëfishi i nivelit të një viti më parë.

Analistët paralajmërojnë se një recesion i thellë është i pashmangshëm.

Deutsche Bank parashikon që PBB-ja reale në eurozonë do të bjerë me afër 3 për qind në total midis tremujorit të dytë të këtij viti dhe të njëjtës periudhë në vitin 2023.

Në vazhdën e fitores elektorale të një aleance të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Itali, kryeqytetet e tjera të BE-së po vëzhgojnë me vëmendje për shenja se rritja e kostos së jetesës mund të nxisë trazira popullore dhe t’i shtyjë votuesit drejt partive më ekstreme.

“Kriza energjetike e Evropës vetëm tani ka filluar të godasë realisht sepse rritja e çmimeve të shitjes me shumicë po ushqehet ende në faturat e firmave dhe familjeve”, ka thënë specialistja Simone Tagliapietra.

Sipas saj, kostoja për ekonominë do të bëhet shumë më e madhe.

Kërcënimi nga e djathta

Në përpjekjet për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset nga rritja e kostove të energjisë, Franca ka qenë një nga vendet anëtare më agresive të BE-së.

Megjithatë, disa në qeveri shqetësohen se trazirat sociale do të shpërthejnë këtë dimër.

Përpjekjet e qeverisë franceze e kanë mbajtur normën e inflacionit të vendit prej 6.5 për qind nga viti në vit, dukshëm nën atë të shumë shteteve të tjera anëtare të eurozonës.

Franca ka qenë në gjendje të izolojë më mirë qytetarët nga rritja e çmimeve sesa kudo në Evropë, në masën që ajo mbështetet pak në gazin natyror dhe e merr pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga termocentralet bërthamore të operuara nga EDF në pronësi të shtetit.

Qeveria lëvizi për të mbrojtur familjet dhe bizneset e vogla në shkurt me një “mburojë tarifore” që kufizoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike në 4 për qind dhe mbajti çmimet e gazit natyror të sheshta për vitin 2022.

Së fundi, qeveria ka njoftuar se masat mbrojtëse do të zgjerohen vitin e ardhshëm duke kufizuar rritjen e çmimeve të gazit natyror dhe energjisë elektrike në 15 për qind për familjet dhe bizneset e vogla.

Një qasje e tillë ndërhyrëse përputhet me kulturën politike franceze, në të cilën qeveria shpesh përcakton politikën industriale dhe vepron për të mbrojtur qytetarët nga krizat ekonomike.

Gjithashtu pasqyron frikën në Pallatin Elysée se pakënaqësia e votuesve mund të forcojë fatin e Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, i cili fitoi 89 vende të paprecedentë në Asamblenë Kombëtare.

Nga ana tjetër, qeveria e Macron u dëmtua nga protestat që shpërthyen në dimrin e vitit 2018 mbi një rritje të propozuar të taksës së karburantit.

Disa ministra i frikësohen një ringjalljeje të asaj lëvizjeje të përhapur dhe pa drejtues, veçanërisht pasi çmimet kanë qenë më të larta në muajt e fundit se sa në atë kohë.

Sakaq, sindikatat kanë planifikuar një grevë kombëtare të enjten për të bërë presion për rritjen e pagave.

Për shkak të ndërprerjeve të papritura në flotën bërthamore të EDF, qeveria ka paralajmëruar për rrezikun e racionimit të energjisë për kompanitë.

Dhe disa shërbime publike si pishinat dhe muzetë kanë filluar të shkurtojnë orët e tyre të punës.

“Luftimi i inflacionit është një prioritet ekonomik dhe politik”, ka thënë këtë javë ministri francez i Financave, Bruno Le Maire. Për të, inflacioni është helm për demokracitë, diçka që “e ka treguar historia”.

Paçka ndërhyrjeve të deritanishme në energji, bizneset dhe familjet janë të tmerruar nga kostot me të cilat përballen.

Në Francë, dy të tretat e kompanive blejnë energji në tregun e hapur, pasi nuk kualifikohen për normën e rregulluar të vendosur nga qeveria dhe të ngarkuar nga EDF.

Vetëm kompanitë me më pak se 10 punonjës dhe më pak se 2 milionë euro në shitje mbrohen nga kufijtë e çmimeve të energjisë që qeveria franceze ka vendosur.

Përtej dimrit

Megjithatë, mendohet se BE-ja në përgjithësi është në një pozitë shumë më të mirë tani sesa ishte dy ose tre muaj më parë.

Përpjekjet agresive që nga pranvera kanë ndihmuar në diversifikimin e furnizimeve me gaz larg Rusisë dhe drejt alternativave.

Gazi i tubacionit nga Rusia është ulur në 9 për qind të importeve të gazit të BE-së, nga 41 për qind vitin e kaluar, sipas Komisionit Evropian.

Por kriza nuk ka mbaruar.

Vitin e ardhshëm, ndërtimi i niveleve të depozitimit të gazit mund të jetë edhe më i vështirë se në vitin 2022, duke pasur parasysh se rezervat e këtij viti u ndërtuan nëpërmjet importeve ruse.

Këto, deri në vitin e ardhshëm mund të ndërpriten plotësisht.

Shqetësimet për një ndërprerje totale të furnizimeve me gaz rus u intensifikuan këtë javë kur Gazprom paralajmëroi se mund të vendoste sanksione ndaj kompanisë shtetërore të gazit të Ukrainës.

Një hap që mund të çojë në ndalimin e flukseve në vend.

Më vete, rrjedhjet në dy tubacione gazi rus në Detin Baltik u fajësuan gjerësisht për sabotim, duke nënvizuar cenueshmërinë e infrastrukturës energjetike evropiane.

Sakaq, kryeqytetet duhet të bëjnë shumë më tepër për të frenuar në mënyrë kolektive kërkesën si për gaz ashtu edhe për energji elektrike këtë dimër dhe më tej.

Përpjekjet e pamjaftueshme për të ulur konsumin e gazit mund t’i lënë nivelet e ruajtjes së BE-së në “nivele tepër të ulëta”, sipas një raporti të OECD-së këtë javë, duke e vendosur ekonominë në një gjendje të pakëndshme në muajt e ardhshëm.

Po ashtu një dimër i ftohtë mund ta përkeqësojë mungesën e ofertës, duke çuar në çmime globale “thelbësisht më të larta”.

Vendet anëtare të BE-së i kundërshtuan planet e komisionit për reduktimin e detyrueshëm të konsumit të gazit këtë verë, duke zgjedhur në vend të kësaj një qasje vullnetare.

Qeveritë evropiane kanë shpenzuar gjysmë trilion euro për të mbrojtur qytetarët dhe kompanitë nga rritja e çmimeve të energjisë, por shumë nga këto masa kanë maskuar efektin e çmimeve të larta, duke minuar stimujt për konsum më të ulët.

Qeveria në Francë ka vendosur një objektiv për kompanitë dhe entitetet e sektorit publik që të ulin përdorimin e energjisë me 10 për qind këtë dimër kundrejt vitit të kaluar.

Çka vjen si një përpjekje për të shmangur ndërprerjet.

Zgjidhje të tjera po shfaqen gjithashtu, si një sistem kombëtar alarmi i quajtur Ecowatt nga operatori i rrjetit RTE.

Ai do t’i klasifikojë ditët si jeshile, portokalli ose të kuqe në varësi të stresit në sistemin e energjisë elektrike, duke dërguar njoftime shtytëse për konsumatorët dhe kompanitë në momentet e pikut të kërkesës për t’u kërkuar atyre të frenojnë konsumin.

Transmetuesi më i madh televiziv i Francës është zotuar të përfshijë vlerësimin e Ecowatt në raportet ditore të motit, në mënyrë që të kërkojë ndihmën e njerëzve.

Ndikimet e pabarabarta

Objektivat e kursimit të energjisë elektrike do të jenë pjesë e paketës në mbarë BE-në që pritet të premten, së bashku me taksat e papritura për kompanitë e energjisë me karbon të ulët dhe një taksë për prodhuesit e karburanteve fosile.

Komisioni ka vlerësuar se shtetet anëtare mund të mbledhin një total prej 140 miliardë eurosh nga fitimet e kompanive të energjisë, duke i ricikluar ato në përpjekje për të reduktuar faturat.

Paçka bujës, masat e reja do të përbëhen vetëm nga një udhërrëfyes i pjesshëm, në vend të një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj krizës energjetike.

Drejtuesit e industrisë kanë vënë në pikëpyetje nëse taksat do të rrisin aq sa parashikon Brukseli.

Vendet duke përfshirë Italinë, Greqinë, Belgjikën dhe Maltën po kërkojnë vendosjen e një tavani mbi çmimet e gazit me shpresën se kjo mund të shkurtojë ciklin e dëmshëm të rritjes së çmimeve.

Për disa, struktura e industrive të tyre energjetike nënkupton se paketa ekzistuese do të jetë një ndihmë e kufizuar e drejtpërdrejtë. Ndërsa të tjerët, si Franca, kanë zbatuar tashmë skemat e tyre kombëtare të porositura.

Ata kanë vijuar duke thënë se vetëm taksat e papritura nuk do të zgjidhin mosfunksionimin më të thellë në tregjet e energjisë elektrike dhe gazit..

Argumenti i tyre është se nevojiten ndërhyrje për të parandaluar prishjen e tregjeve të energjisë.

Brukseli nxori një dokument opsionesh të mërkurën me ide se si të arrihet një kufi i çmimit të gazit, por disa zyrtarë të komisionit mbeten të kujdesshëm ndaj idesë.

Nëse niveli është vendosur shumë i ulët, rrezikon të pengojë furnitorët të shesin në BE, sepse tarifat më të mira janë të disponueshme diku tjetër.

Por kjo do të minonte përpjekjet për të mbështetur furnizimet me gaz.

Kostoja e madhe e ndërhyrjeve energjetike ka një ndikim të pabarabartë në shtetet anëtare, duke pasur parasysh kapacitetet e tyre të ndryshme për të përballuar rritjen e huamarrjes publike.

Disa diplomatë kanë filluar të flasin për ndihmë shtesë për të barazuar barrën.

Megjithatë, në Francë, konsumatorët po përgatiten për më të keqen.

 

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.


Lajmet kryesore