Opinione / Editoriale

PD-ja lëngon për një doktor, në Reich-un e Tretë të Sali Berishës


Bordi editorial Albanian Post

“U krye” dhe për këtë, u deshën vetëm tetë muaj.

Sali Berisha, jo thjesht de facto, por edhe de jure, është rikthyer në majën piramidale të Partisë Demokratike, për të tretën herë në tre dekada, nëntë vjet pasi fronin në dukje, por jo në përmbajtje, ia kishte lënë dishepullit të tij, Lulzim Bashës, të cilin e zbythi në pak kohë kur interesat, nuk i konvergonin më me të.

E vërteta është se prej vitesh, PD-ja nuk ka parë asnjë fitore politike të rëndësishme – as të parëndësishme madje – dhe ka pasur nevojë qartazi për një doktor shërues.

Mirëpo, ndërkohë që Basha shihej dikur si e ardhmja (të paktën kështu e mbylli “mbretërimin” në PD ai, nën sloganin “Zgjedhim të ardhmen”), forca politike vetë mbeti në vend numëro. Mbeti e palëvizshme, e varur në çengelat e sistemit pushtetar të një njeriu të vetëm dhe familjes së tij, më shumë si klan se sa si parti, në mbrojtje të interesave dhe kultit të doktorit, që veç shërues nuk është.

Partia e dytë më e madhe në vend dhe më e madhja në opozitë, nuk të bën më as të qeshësh, kur deklarohet se nuk dihet as sa anëtarë gëzojnë të drejtën e votës.

Çfarë mund të thuhet më pas për një rifreskim të programit të saj? Një përditësim të strategjisë? Qoftë edhe të vetë një strategjie, sado mediokre të ishte ajo, për kalimin në pushtet pas një dekade.

Doktori kirurgjik, në vend t’i operonte organet demokracisë demokrate, i llustroi veçse lëkurën në mënyrë plastike.

Selia e PD-së, zemra motorike e këtij organizmi të pajetë, u la të lëngojë aty e në muajt e fundit të shihte reflektimin e një prej shfaqjeve më banale e shëmtaraqe të para në politikë, ku jo estetikë nuk pati më, por as plastikë!

Rezultati në fund tregoi se doktori që demokratët me sa duket po riduan, ishte po ai kirurgjik, i cili në vend të kopsiste organizmin e të djathtës, kopsiti organizmin e tij të ngushtë, duke vënë përballë partisë nderin e familjes prej shpalljes “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Fletërrufeja”, nuk i ka ardhur vetëm SHBA-të ama. I ka ardhur edhe nga Gjermania zyrtarisht.

Mesazhi është i njëjtë: Parti Demokratike me Berishën në krye për të biseduar, nuk ka.

Nuk ka as rival politik të brendshëm, që e qas në mendime kontaktin me një person të sakatuar politikisht nga diplomacia amerikane dhe me një parti të bërë të çalë prej këtij vendimi.

Është e pamohueshme se aftësitë e Berishës për të risjellë veten në majë e për të rishpëlarë mendjet e atyre që e rrethojnë, janë “çudibërëse” si doktor i vetvetes ama. Ato politike, intelektuale dhe interesi real për t’u bërë doktor i një strategjie të re për PD-në, ato ai nuk i ka.

Kur Gjermania gjendej në Depresionin e Madh të vitit 1929 pas Luftës së Parë Botërore, Adolf Hitleri filloi të belbëzonte pak nga pak konceptin e një Reich-u të Tretë, nën pretekstin se gjermanikët ishin një komb pasardhës i Perandorisë Romake (Reich-u i Parë) dhe asaj Gjermane (Reich-u i Dytë).

Në një depresion po aq të madh, gjendet sot dhe prej kohësh Partia Demokratike dhe Sali Berisha, po instalon qartazi Reich-un e tij të tretë.

Mirëpo, dy të parët, janë po perandori të tija dhe pikë ndryshimi nuk e kanë njëra me tjetrën, për sa kohë stetoskopi mbetet i njëjti, për sa kohë PD-ja është në funksion të interesave të një njeriu të vetëm.

Mbi të gjitha, e mbani mend ku Reich-u i Tretë u sos? Pikërisht…

 


Lajmet kryesore